Distrikti historik Old Mardin, i njohur për xhamitë, medresetë, kishat, rrugicat e ngushta dhe shtëpitë ikonike prej guri, po tërheq turistë gjatë gjithë vitit, një rritje që lidhet edhe me popullaritetin e serialit të Kanal D, “Uzak Şehir” (Far Away) i xhiruar në qytetin piktoresk, serial i cili aktualisht transmetohet edhe ne Shqipëri.
Trashëgimia e pasur kulturore dhe bashkëjetesa harmonike e feve, gjuhëve dhe kulturave të ndryshme kanë bërë që Mardini të mbetet një prej destinacioneve më të njohura në Turqi. Ndërtesat e mbrojtura nën Kalanë e Mardinit vazhdojnë të jenë një pikë tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.

Aktualisht, rajoni ofron më shumë se 60 hotele me kapacitet prej 22,000 shtretërish, ndërsa investimet e reja në hotele dhe bujtina po rrisin edhe më shumë mundësitë e akomodimit. Qyteti përfshin disa prej vendeve më të vizituara në rajon, si Qyteti Antik Dara, Muzeu i Mardinit, Medreseja Kasımiye dhe Manastiri Deyrulzafaran.
Seriali hit “Uzak Şehir”, i cili shfaq peizazhet magjepsëse të Mardinit, ka rritur në mënyrë të ndjeshme interesin ndërkombëtar për qytetin, duke siguruar fluks turistik gjatë gjithë vitit dhe duke promovuar gjithashtu gastronominë vendase, që tërheq vizitorë në restorantet e mbushura plot.

Vitin e kaluar, qyteti regjistroi 3 milionë vizitorë, përfshirë 900,000 turistë me qëndrim të natës. Ndërsa këtë vit, vetëm në 10 muajt e parë, Mardini ka pritur 3.5 milionë turistë, mes tyre 950,000 vizitorë me qëndrim të natës.
Zëvendëspresidenti i Shoqatës së Agjencive të Udhëtimit të Mesopotamisë dhe Shoqatës së Hotelierëve të Turizmit (METOSAD) dhe president i Shoqatës së Turizmit dhe Hotelierëve të Mardinit (MARTOD), Özgür Azad Gürgör, tha se qyteti tashmë ka hyrë në një fazë të re ku turizmi vazhdon në mënyrë të pandërprerë gjatë gjithë vitit.
