KreuKuzhine

2 receta se si mund të përgatisni ëmbëlsira me kungull!

Me formën e tij të butë dhe të plotë, kungulli i vjeshtës është një përbërës i cili i dhuron shije të gjitha pjatave. Ju mund të përgatisni kungullin, ose pasi e keni zier ose pjekur më parë, por edhe duke e përfshirë menjëherë në çdo recetë, por koha e gatimit do të zgjasë pak më shumë. Ndaj, ju sugjerojmë ta përgatitni më parë dhe më pas pjatat do të jenë gati në pak minuta. Ashtu si çdo perime, edhe kungulli përshtatet me të gjitha llojet e recetave, qoftë në supa, pasta e deri te pjatat e ëmbla. Përveç shijes së butë, tuli si kadife, ka pak kalori duke dhuruar pjata të shëndetshme. Kungullin duhet ta gatuani në furrë, në tigan ose në ujë për të patur copa të buta, asnjëherë menjëherë pasi e keni prerë. Ka pak kalori, shumë ujë dhe përmban sasi të mëdha beta-karoteni. Është një antioksidant i fuqishëm, i pasur me kalium, kalcium, magnez dhe fosfor, pa harruar vitaminat A, B dhe C. 

Tortë me kungull të ëmbël 

Përbërësit:

300 g tul kungulli, 200 g miell, 150 g sheqer, 100 g gjalpë të shkrirë, 3 vezë, 1 qese pluhur pjekjeje, 1 lugë çaji kanellë, ½ lugë çaji xhenxhefil i bluar, pak kripë dhe disa fara kungulli për sipër. 

Përgatitja: 

Qëroni dhe priteni kungullin në copa. Ziejeni derisa të zbutet dhe më pas kullojeni derisa të bëhet një pure homogjene. Në një tas, rrihni vezët me sheqerin derisa të bëhen shkumë. Shtoni gjalpin e shkrirë dhe më pas shtoni purenë e kungullit duke i përzier mirë. 

Sitni miellin me pluhurin pjekës, bashkojeni me erëzat dhe pak kripë. Të gjithën përziejeni te masa kremoze.  

Ngroheni furrën.  

Hidhni brumin në një tavë të lyer me yndyrë, spërkateni sipër me fara kungulli dhe vendoseni të piqet për 40 minuta në 180 gradë. Lëreni të ftohet para se ta hiqni nga forma dhe shijojeni në temperaturë ambienti.

 

 

Krem brule kungulli 

2 receta se si mund të përgatisni ëmbëlsira me kungull!

Përbërësit:

Një kungull mesatar, 500 ml ujë, 65 g sheqer kokosi, 1 lugë çaji kanellë, lëkurë limoni, 1 bishtajë vaniljeje, 4 të verdha vezësh, 20 g niseshte misri. 

Përgatitja:

Filloni me përgatitjen e qumështit të kungullit. Zieni kungullin dhe më pas tulin me ujë kalojeni në një blender, derisa të bëhet një masë e lëngshme. Filtroni lëngun që rezulton derisa të dalë një qumësht kompakt. Në një tas, përzieni të verdhat e vezëve me 2 lugë gjelle nga qumështi i kungullit, pastaj shtoni niseshte misri derisa të bëhet kremoze. 

Në një tenxhere, hidhni qumështin e mbetur të kungullit, shtoni sheqerin, lëkurën e limonit, bishtajën e vaniljes, kanellën dhe lëreni të vlojë. 

Kullojeni përzierjen përmes një site dhe derdheni te salca e vezëve, duke e përzier mirë. Hidheni gjithçka në tenxhere dhe gatuajeni për disa minuta të tjera në zjarr mesatar, duke e përzier vazhdimisht, derisa përzierja të trashet. Fikeni zjarrin dhe hidheni në forma tasash. Futeni në frigorifer për të paktën 1 orë. Në minutën e fundit, hidhni nga një lugë sheqer sipër dhe pastaj vendoseni në furrë për të karamelizuar sheqerin.