KreuBusull

Shqiptari ndërron jetë pas transplantit të flokëve në Turqi!

Një 36-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Mentor Rama, humbi jetën në Stamboll pasi iu nënshtrua një transplanti flokësh dhe procedurave dentare. Sipas mediave të huaja, 36-vjeçari me shtetësi britanike, por me origjinë shqiptare mbërriti në Turqi javën e kaluar për trajtime kozmetike.

Ai vizitoi fillimisht Klinikën e Flokëve Dymed, një qendër private në Stamboll, ku iu nënshtrua një transplanti flokësh. Pas procedurës, ai u sistemua në një hotel në lagjen Sisli, një nga zonat qendrore të qytetit e njohur për mjediset e saj të turizmit mjekësor. Të nesërmen, ai shkoi në Klinikën Dentare Aqua, e cila ndodhet në kompleksin Vadi Istanbul, për trajtim dentar. Pasi u kthye në hotel, filloi të mos ndihej mirë.

Shërbimet e urgjencës e dërguan në një spital aty pranë, por pavarësisht të gjitha përpjekjeve mjekësore, ai ndërroi jetë më 11 nëntor. Policia ka nisur një hetim për incidentin. Trupi u transferua në Këshillin e Mjekësisë Ligjore në Stamboll për procedurat e autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes, ndwrsa pas ekzaminimit trupi i tij iu dorëzua familjarëve dhe u kthye në vendlindje.