KreuBusull

Sot mbahen zgjedhjet në 5 bashki

Sot mbahen zgjedhjet në 5 bashki

Këtë të diel, 334 mijë e 539 qytetarë do t’u drejtohen kutive të votimit në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialet zgjedhore, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje objektet ku janë vendosur komisionet e zonave të administrimit zgjedhor.

Në Vlorë, në garë është Brunilda Mersini e PS-së, që hoqi dorë nga mandati i deputetes për të kandiduar për kryetare bashkie. Ajo do të përballet me Dionis Sotën, i mbështetur nga PD, por edhe Gjergji Nikën, anëtar i Këshillit Bashkiak, i zgjedhur nën siglën e PD-së.

Në Berat, socialistët kanë propozuar nënkryetarin Ervin Ceca, ndërsa përballë tij do të jetë Pavlo Shkarpa, i mbështetur nga opozita.

Mati sjell një garë me tre emra: Altin Bojni, që përfaqëson PS-në, ndërsa Suzana Pasha, ish-drejtuesja e grave socialiste në degën lokale, hyn në garë si e pavarur.
Nga ana tjetër, opozita mbështet Eduard Brahilikën, po ashtu kandidat i pavarur.

Në Cërrik, socialistët kandidojnë me Florenc Dokën, përballë Amarildo Hoxhës, që garon si i pavarur me mbështetjen e grupimit të Sali Berishës. Një kandidat i tretë, Eligert Hima, përfaqëson partinë “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.

Në Tepelenë, përballë socialistit Gramos Sako, garon i pavarur Gabriel Guma, me mbështetje nga opozita.

Fituesit e këtyre zgjedhjeve do të kenë një mandat të shkurtër, vetëm një vit e gjysmë, deri në zhvillimin e garës së radhës elektorale, në pranverën e vitit 2027.