Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar një risi të rëndësishme për të gjithë qytetarët dhe turistët që duan të vizitojnë destinacionet kulturore të Shqipërisë.
Duke filluar nga e enjtja, 6 nëntor, biletat për hyrjen në muzetë, kalatë dhe parqet arkeologjike do të mund të blihen online përmes platformës zyrtare qeveritare e-Albania.
Ky hap synon të lehtësojë aksesin në trashëgiminë kulturore të vendit, të përmirësojë përvojën e vizitorëve dhe të nxisë më tej turizmin kulturor në Shqipëri.
Sitet kulturore të përfshira në shërbim:
-Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë
-Muzeu Kombëtar Etnografik, Krujë
-Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri”, Berat
-Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Shkodër
-Kalaja e Shkodrës
-Kalaja e Gjirokastrës
-Parku Kombëtar Arkeologjik Apolloni, Fier
Si funksionon?
-Hyni në portalin e-Albania
-Zgjidhni shërbimin “Biletaria online për sitet kulturore”
-Caktoni destinacionin që dëshironi të vizitoni
-Përzgjidhni llojin e biletës
-Kryeni pagesën online
-Prisni biletën në e-mail, është e vlefshme për 1 muaj.
