Në kohët e sotme kur Iphone dhe Samsung konkurrojnë njëri-tjetrin dhe telefoni është bërë mjeti më i rëndësishëm për pasqyruar përditshmërinë online dhe jo vetëm, dikur na mjaftonte një telefon pa kamerë për telefonata të shkurtra apo thjesht një "Alo". Kush nuk e kujton zilen karakteristike të Nokia-s apo lojën e famshme me gjarpër? Në një kohë kur telefoni celular sapo kishte nisur të bëhej pjesë e përditshmërisë, Nokia ishte sinonim i cilësisë dhe qëndrueshmërisë.
Sot, disa prej modeleve të saj ikonike janë kthyer në objekte të çmuara për koleksionistët dhe mund të vlejnë mijëra euro, raporton Il Messaggero.
Tre telefonat celularë më të njohur dhe të përdorur të epokës Nokia
Nokia 3310 mbetet një nga telefonat më të njohur të të gjitha kohërave. I famshëm për baterinë jetëgjatë dhe rezistencën e jashtëzakonshme, ky model mund të arrijë vlerën e mbi 1.000 eurove nëse ruhet në gjendje të mirë dhe me paketimin origjinal.

Nokia 8110, i njohur si “telefoni banane”, u bë i famshëm pas shfaqjes në filmin Matrix. Me dizajnin e tij karakteristik me kapak rrëshqitës, sot mund të shitet deri në 2.000 euro nëse është ende funksional.

Nokia 8800, i prezantuar në vitin 2005, përfaqësonte luksin në botën e telefonisë celulare. Me kornizë metalike dhe mekanizëm të sofistikuar rrëshqitës, ky model në gjendje perfekte mund të kapë vlerën e mbi 3.000 eurove.

Sipas një renditjeje të Money.it, edhe disa modele të tjera klasike kanë fituar statusin e objekteve të rralla. Motorola DynaTAC 8000x, telefoni i parë portativ, mund të arrijë vlerën e 8.000 eurove. iPhone 2G, modeli i parë i Apple, arrin deri në 2.000 euro nëse është i papërdorur dhe me paketim origjinal.
Në një epokë ku teknologjia përditësohet çdo vit, këta telefona të dikurshëm përfaqësojnë më shumë se pajisje elektronike: janë kujtime të një kohe kur komunikimi kishte një ritëm tjetër dhe çdo detaj kishte vlerë. Nëse dikush ka ende një nga këta modele të ruajtur me kujdes, mund të zbulojë se mban në dorë një copëz historie dhe një pasuri të vogël.
