
Bjorn Andresen, simboli suedez i bukurisë engjëllore që la gjurmë në kinemanë evropiane, është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare.
Ai u bë i njohur në mbarë botën në vitin 1971, pas rolit të paharrueshëm të Tadzios në filmin e Luchino Viscontit Death in Venice.
Vetëm 15-vjeçar në atë kohë, Andresen u quajt nga vetë regjisori italian “djali më i bukur në botë” — një përkufizim që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës.

Megjithatë, pas shkëlqimit të menjëhershëm, ai u përball me anën e errët të famës. Më vonë, Andresen ka treguar se gjatë xhirimeve dhe promovimeve shpesh u vu në situata ku ndjehej i pambrojtur dhe i shfrytëzuar. Ndërsa bota e shihte si një ikonë të bukurisë ideale, për të vetë fama u kthye në një barrë që ndikoi thellë në jetën personale dhe karrierën artistike.
Pas suksesit në Evropë, ai udhëtoi në Japoni, ku u kthye në një figurë të adhuruar, duke punuar si model dhe muzikant. Në dekadat që pasuan, Andresen mori pjesë në mbi 30 filma e seriale, ndërsa pasioni për muzikën e shoqëroi deri në fund të jetës.
Bjorn Andresen la pas dy fëmijë nga martesa me poeten Suzanna Roman. Ai do të kujtohet jo vetëm për bukurinë që magjepsi një epokë, por edhe për forcën dhe ndershmërinë e një njeriu që kërkoi të rigjente veten përtej mitit që i krijoi fama e hershme.
-
-
"Do të jetojë në një ishull...", Hati zbulon planet e jetës!
28 Tetor, 10:00


