KreuBusull

Disa orë pas 'Luvrit', një tjetër muze u grabit në Francë! Zhduket një pjesë e thesarit të të 1790!

Një tjetër vjedhje tronditi botën e artit dhe kulturës franceze. Pak orë pas grabitjes spektakolare në Luvër, një ngjarje e ngjashme ndodhi në muzeun Maison des Lumières, të dedikuar filozofit Denis Diderot.

Të hënën, më 20 tetor, punonjësit e muzeve të qytetit Langres, një komunë në rajonin Grand Est, departamenti Haute-Marne, zbuluan se një pjesë e thesarit numizmatik të muzeut ishte zhdukur.

Pasi muzeu ishte i mbyllur atë ditë, nuk kishte pasur vizitorë. Megjithatë, në mëngjes u konstatua se dera kryesore ishte e thyer dhe një prej vitrinave që përmbante monedha ari dhe argjendi ishte dëmtuar. Sipas të dhënave fillestare, autorët kanë vjedhur 1,633 monedha argjendi dhe 319 monedha ari, të datuara mes viteve 1790–1840. Disa prej tyre ishin të ekspozuara në një vitrinë muzeu, me një vlerë të përllogaritur rreth 90,000 euro.

“Autoritetet e rendit u njoftuan menjëherë dhe mbërritën në vendngjarje. Të shoqëruar nga drejtuesi i muzeut, ata kryen një inspektim të plotë të hapësirave. Sipas vëzhgimeve fillestare, një pjesë e ‘thesarit të muzeut’ është zhdukur. Aktualisht, ekipet e muzeut po bëjnë regjistrimin e detajuar të objekteve të humbura, të cilat do t’i dorëzohen policisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të qytetit, raportuar nga France Info.

Muzeu Maison des Lumières Denis Diderot do të qëndrojë i mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm.