KreuCelebrity

Sara Shehu dhe modelingu, nisja drejt një brand-i personal!

Sara Shehu dhe modelingu, nisja drejt një brand-i personal!

Ambicioze dhe e qartë për të ardhmen e saj; një bionde që fuqinë nuk e ka vetëm te pamja dhe eleganca, por te bota e saj e brendshme, që pasi u mbrujt me të bukurën, kultivohet ditë pas dite me shkollimin për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, e më pas me letërsinë, që është një pasion i madh. Sara Shehu është personazhi i këtij numri të BORDO, që si një modele e re e ka të qartë vizionin e saj për atë që do të vijë; një emër shqiptar, që do të tregojë shumë për fuqinë e modës!  

Sara, sapo ke përfunduar setin fotografik për BORDO. Si u ndjeve? Si shkoi? Ishte çdo gjë siç e kishe ëndërruar? 

Për mua ky set fotografik ishte një eksperiencë fantastike. Çdo moment më bëri të ndihem si në botën time, mes artit dhe modës. “Bordo” arriti të nxjerrë në pah një anë timen të brishtë, por edhe të fortë njëkohësisht. 

Si e sheh veten pas kësaj kopertine? 

Pas kësaj kopertine e shoh veten më të sigurt dhe më pranë ëndrrave të mia. 

Sara, si nisi pasioni yt për modelingun dhe kur e kuptove që do të ishte më shumë se një hobi? 

Për mua, modelingu ka qenë një botë ku humbisja shpesh, herët qysh në fëmijërinë time. Gjithmonë kam patur një interes të madh për botën e modës dhe kam ndjekur hapat e saj në çdo kohë. Dikur dukej si një hobi “i pafajshëm”, deri në momentin që kuptova se nuk ishte thjesht një kënaqësi, por më shumë një dashuri e fshehur që kërkonte të dilte në dritë. Nga pasioni tani është shndërruar në mision. 

Si do ta përshkruaje stilin tënd personal në jetën e përditshme? 

Stili im i përditshëm i përket dy karaktereve paksa kontradiktore ‘streetstyle’, i ndërthurur me class. Është një ekuilibër që pasqyron edhe natyrën time të brendshme, liri dhe autenticitet që më përfaqëson. Gjithmonë më pëlqen t’i shtoj stilit tim detaje të vogla që i japin karakter, duke e kthyer edhe një veshje të zakonshme në diçka të veçantë. Përtej veshjes, stili im personal është edhe mënyra se si zgjedh të përjetoj ditën, me thjeshtësi, por edhe me shumë elegancë. 

 

Çfarë të frymëzon ty në modeling? 

Frymëzimi im vjen nga dashuria për të bukurën. Më pëlqen ta shoh finesën, elegancën dhe estetikën që përcjell arti i modës jo thjesht si pamje, por si një ndjesi që përcillet edhe te të tjerët. Ky është motivimi im më i madh. 

Kush është modelja jote, që ke idhull? 

Idhujt e mi janë kryesisht modelet e viteve '90, sepse ato paraqesin një bukuri klasike dhe fine që nuk del kurrë nga moda. Emra si Kate Moss, Claudia Schiffer, Valeria Mazza apo Karen Mulder kanë qenë dhe mbeten të preferuarat e mia. 

Karrierën e kujt personazhi ëndërron? 

Nuk do të quhet ëndërr, nëse nuk do të jetë e imja. Nuk aspiroj karrierën e askujt, por të ndërtoj timen. Sigurisht që admirimi për ikonat e modës është frymëzues, por ajo që dua është të krijoj historinë time të veçantë dhe rrugën e suksesit tim. 

A e sheh modelingun si një formë arti? Në çfarë mënyre? 

Modelingu është një art i gjallë i së bukurës. Një pozë e thjeshtë mund të kthehet në histori, një shikim apo një lëvizje përcjell emocion që shkon përtej imazhit. 

Me cilët stilistë apo fotografë do të doje të bashkëpunoje në të ardhmen? 

Në të ardhmen do të doja të bashkëpunoja me stilistë dhe fotografë që bashkojnë artin dhe origjinalitetin në punën e tyre. Për mua është shumë e rëndësishme ndjenja që krijon bashkëpunimi. Kur energjia dhe pasioni është i dyanshëm, lind gjithmonë diçka unike. 

 

Si mendon se modelet mund të ndikojnë pozitivisht në shoqëri? 

Kjo është një pyetje shumë e bukur. Unë besoj se duke u nisur nga ana psikologjike, njerëzit gjithmonë kanë tendencën të tërhiqen nga e bukura. Modelet mund ta përdorin këtë influencë për të përcjellë jo vetëm estetikë, por mesazhe shumë pozitive për fuqizimin dhe vetëbesimin e individit, si edhe për kauza sociale. Influenca e modeleve mund të shërbejë si një promovim diversiteti dhe autenticiteti. Në këtë mënyrë influenca e tyre nuk ndalet vetëm te përcjellja e imazhit, por shtrihet në kauza që kanë peshë për shoqërinë. 

Përtej imazhit tënd, kush është Sara, që njerëzit duhet të njohin? 

Përtej imazhit tim, ekziston një botë shumë më e thellë. Njerëzit priren të ngecin te paraqitja e jashtme, por unë nuk jam thjesht një imazh i bukur për t’u parë. Unë jam një vajzë që di çfarë vlen, çfarë do dhe nuk ka frikë të marrë hapësirën që i takon. Jam një person shumë empatik dhe i thellë emocionalisht. Jeta më ka mësuar të jem e fortë edhe kur kam qenë vetëm, të kem empati edhe kur nuk më është dhënë dhe të gjej qetësi në thjeshtësi dhe në gjërat e vogla që na bëjnë të lumtur. Imazhi mund të tërheqë vëmendjen, por inteligjenca dhe karakteri im janë ato që mbajnë çdo sy fiksuar. 

Cilat janë hobet dhe pasionet e tua përtej modelingut? 

Përtej modelingut, kam shumë pasione që më mbajnë të lidhur me veten time. Më pëlqen të lexoj libra kryesisht psikologjikë dhe filozofikë, sepse aty gjej përgjigje për pyetje që më kanë shoqëruar gjithmonë. Kam një lidhje të veçantë me udhëtimet, sepse më japin mundësinë për të përjetuar momente dhe energji të reja. Dhe ‘On top’… po, ‘shopping’ është terapia ime. Mund të rri me orë të tëra duke zgjedhur çdo detaj, sepse për mua nuk është thjesht blerje, por një ritual që më bën të ndihem gjallë. 

 

Cila është muzika që të pëlqen? 

Nuk kam një preferencë specifike. Dëgjoj gjithmonë atë që më tingëllon mirë në vesh. Në përgjithësi, më pëlqejnë këngët ritmike që më japin energji pozitive dhe shmangin pesimizmin. 

A ke një shkrimtar, një libër që doje ta veçoje? 

Duke qenë se e kam theksuar edhe më parë që më pëlqen të lexoj libra psikologjikë, sigurisht që do të veçoj dy autorë të mëdhenj si Dostojevski dhe Freudi. Të dy kanë aftësinë të hyjnë thellë në psikologjinë njerëzore, secili në mënyrën e vet. Libri që veçoj është “Psikoanaliza” e Freudit, një vepër komplekse, por jashtëzakonisht e fuqishme që flet për nënvetëdijen dhe sjelljen njerëzore. Megjithatë dua të shtoj si sugjerim një libër që jam duke e lexuar aktualisht nga Dr. Joe Dispenza “Becoming Supernatural”. Është një libër që të ndryshon perceptimin mbi jetën. Mund të kemi çdo gjë që duam, vetëm kur e besojmë me të vërtetë këtë. 

Aventurat të pëlqejnë? Kanë limit për ty ato? 

Sigurisht që më pëlqejnë aventurat, ato e bëjnë jetën më interesante. Por sigurisht që jam selektive. Ndjek aventurat që më lënë kujtime, jo pendesa. 

Mali apo deti? 

Deti, sepse ka energji të veçantë. Misterioz dhe reflektues, ashtu si natyra ime. 

Ambient me shumë njerëz apo më mirë vetëm? 

Më pëlqen gjallëria dhe të qenurit midis njerëzve, megjithatë për mua është shumë e rëndësishme dhe koha vetëm, si mënyrë për të rigjetur veten dhe balancën time. 

Ku e sheh veten në një shoqëri me pak njerëz apo njeri social? 

Do të thosha që jam pak nga të dyja. Mund të jem njeriu më social në dhomë, por edhe ajo që gjen lumturinë në pak njerëz dhe qetësinë e saj. 

Një darkë intime apo një festë masive? 

Darkë intime, shampanjë dhe biseda të gjata me kuptim. 

Përgjithësisht modelet njihen vetëm për atë çfarë ofrojnë, ti vetë çfarë synimi ke për çfarë do të të doje të njihnin më së shumti njerëzit? 

Do të doja të njihesha për energjinë që përcjell dhe për mënyrën si i motivoj njerëzit. Dua të njihem për autenticitetin tim, të cilin do e shfaq edhe në projektet që kam planifikuar në vazhdimësi. 

Cilat janë synimet e tua në fushën e modës? 

Synimi kryesor është krijimi i identitetit tim në këtë fushë. Dua të zhvillohem si modele dhe të sjell projekte unike në stilin tim. Do të më pëlqente shumë të bëhesha pjesë e projekteve ndërkombëtare, për të përjetuar energjinë dhe standardet e huaja. Në të ardhmen e afërt, dua të punoj për ta sjellë në jetë pasionin tim për modën, duke krijuar një brand personal që do të përcjellë stilin tim unik përmes veshjeve. 

Ku e sheh veten pas 10 vitesh? 

Pas 10 vitesh e shoh veten duke ndërtuar jo vetëm një karrierë ndërkombëtare, por edhe një emër që lidhet me projekte që lënë gjurmë. Sigurisht që do të kem konsoliduar brandin tim personal, i cili do të jetë pasqyra e stilit dhe identitetit tim. Synimi im është jo vetëm të jem pjesë e modës, por edhe të lë gjurmë në të. 

Nga Ilda Lumani 

Fotografia: Geljant Kaleci