Këtë fundjavë do të ndodhë ndryshimi i orës. Natën mes të shtunës, 25 tetor, dhe të dielës, 26 tetor, në orën 03:00, akrepat e orës do të zhvendosen një orë mbrapa, duke u rikthyer në 02:00.
Kjo do të thotë se do të fitojmë një orë gjumë më shumë, por pasditet do të jenë më të shkurtra. Ora standarde do të mbetet aktive për rreth shtatë muaj, deri në fundjavën e fundit të marsit, kur akrepat do të lëvizen përsëri për të hyrë ora e verës.
Ndryshimi i orës verore është një praktikë që aplikohet për dekada në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian, ku orët kalojnë në kohën e verës të dielën e fundit të marsit dhe në orën dimërore të dielën e fundit të tetorit. Ky proces është unifikuar për të gjithë shtetet evropiane dhe realizohet në të njëjtën kohë, duke bërë që çdo vit të ndërrohen akrepat në të gjitha vendet evropiane.
Ky ndryshim i orës u vendos si ligj evropian në vitin 1981, me qëllimin për të optimizuar përdorimin e dritës natyrore dhe për të arritur kursime në energji. Ky ndryshim është bërë një traditë, që për shumë njerëz është shenjë e ardhjes së pranverës dhe ditëve më të gjata.
