Meta njoftoi të premten një masë të re që u lejon prindërve të kenë më shumë kontroll mbi bisedat private të adoleshentëve me robotët e saj të AI-së, pas kritikave të shumta mbi sjelljen flirtuese të chatbot-eve
Sipas kompanisë, prindërit tani do të mund të çaktivizojnë bisedat private një‑më‑një me AI-në, të bllokojnë karaktere të caktuara dhe të shohin temat e përgjithshme që fëmijët e tyre diskutojnë me chatbott-et dhe asistentin e Meta-s, pa u hequr aksesin e plotë te AI.
Këto veçori të mbikëqyrjes do të debutojnë në Instagram në fillim të vitit të ardhshëm në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Australi, sipas postimit në blog nga shefi i Instagram, Adam Mosseri, dhe Drejtori i AI-së, Alexandr Wang.
Meta gjithashtu konfirmoi se robotët e saj të AI-së nuk do të angazhohen në biseda të papërshtatshme për moshën e adoleshentëve, duke përfshirë tema si vetëvrasje apo çrregullime ushqimore.
Kjo lëvizje vjen pas shqyrtimeve më të ashpra të rregullatorëve amerikanë mbi ndikimet negative të chatbot-eve tek të miturit. Së fundmi, edhe OpenAI ka vendosur kontrolle prindërish për ChatGPT, pas një padie nga prindërit e një adoleshenti që humbi jetën, ku pretendimet ishin se chatbot-i e këshilloi për mënyra të vetëdëmtimit.
Meta tha se këto veçori të reja mbështeten mbi sistemet ekzistuese të mbrojtjes për llogaritë e adoleshentëve dhe përdorin sinjale AI për të vendosur automatikisht të dyshuarit si adoleshentë në mbrojtje, edhe nëse ata deklarojnë se janë të rritur.
