KreuBusull

"Më tha prostitutë", Meloni shpërthen ndaj kryesindikalistit!

Një debat i fortë ka shpërthyer në skenën politike italiane pas deklaratave të sekretarit të përgjithshëm të sindikatës CGIL, Maurizio Landini, i cili gjatë një interviste televizive e quajti kryeministren Giorgia Meloni "kortigjane".

Reagimi i Melonit ishte i menjëhershëm në rrjetet sociale. Ajo akuzoi Landinin për përdorimin e një termi fyes dhe seksist.

“Nëse dikush nuk e di kuptimin më të zakonshëm të fjalës ‘kortigjane’, po e shpjegoj unë: do të thotë prostitutë. Kjo është e majta që na ka dhënë leksione morali për vite me radhë në emër të respektit për gratë, dhe sot më fyen për mungesë argumentesh”, shkroi Meloni, duke bashkëngjitur edhe përkufizimin zyrtar të fjalës nga fjalori.

Nga ana tjetër, Landini mohoi çdo qëllim për ofendim personal. Në një deklaratë për shtyp, ai sqaroi se termi ishte përdorur në një kuptim politik, duke iu referuar lidhjeve të ngushta të Melonit me ish-presidentin amerikan Donald Trump.

“Nuk ka asnjë fyerje seksiste apo mllef personal. Bëhet fjalë për një kritikë politike, jo për një sulm personal”, theksoi ai.