KreuBusull

Pezullohen zgjedhjet e parakohshme, Gjykata Kushtetuese merr vendim pas ankimimit të Veliajt!

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit për zgjedhjet e parakohshme të caktuara më 9 Nëntor, pasi Erion Veliaj ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës.

Më 2 Tetor, avokatët e Veliajt depozituan në Kushtetuese një ankim ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, që shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve të pjesshme. Me vendimin e Kushtetueses, do të thotë që zgjedhjet e pjesshme nuk do të zhvillohen.

Kështu ka sqaruar kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në emisionin e News24, “LOG”, ku u shpreh se nëse Gjykata Kushtetuese vendos për pezullimin e zgjedhjeve, ato nuk do të zhvillohen.

“Nëse vendos pezullim, zgjedhjet nuk do të zhvillohen, nëse i shpall të pavlefshme do të ribëhen”, tha ai në “LOG”.

PS ka zyrtarizuar tashmë Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës, ndërsa opozita ende nuk ka shpallur një emër zyrtar.