KreuBusull

Kur grabitja në Luvër shndërroi një ashensor gjerman në yll të rrjeteve sociale

Kur grabitja në Luvër shndërroi një ashensor gjerman në

Një firmë gjermane është bërë pjesë e padëshiruar e grabitjes spektakolare të Louvre-it në Paris, pasi një nga ashensorët e saj u përdor nga grabitësit për të marrë bizhuteritë me vlerë rreth 88 milionë euro nga muzeu francez. Për ta kthyer situatën në avantazh, kompania Böcker ka nisur një fushatë reklamimi në rrjetet sociale.

Në postimin e ri, kompania ka përdorur një imazh të famshëm të ashensorit Agilo duke u ngjitur në një ballkon të Galerisë së Apollos, me sloganin: “Kur ke nevojë të lëvizësh shpejt. Ashensori Böcker Agilo transporton thesaret tuaja me peshë deri në 400kg me 42m/min pa bërë asnjë zhurmë.”

Drejtori menaxhues i Böcker, Alexander Böcker, u shpreh për AFP se pasi u bë e qartë që askush nuk u lëndua gjatë grabitjes, ata vendosën të përdorin “ pak humor” për të tërhequr vëmendjen ndaj kompanisë së tyre.

“Krimi është padyshim i patolerueshëm, por ishte një mundësi për të përdorur muzeun më të famshëm dhe më të vizituar në botë për t’i dhënë pak vëmendje kompanisë tonë,” tha Böcker.

Sipas tij, pajisja ishte shitur disa vite më parë tek një klient francez që i jep me qira këto ashensorë në Paris dhe zonat përreth. Grabitesit e kishin kërkuar pajisjen për një demonstrim dhe e vodhën gjatë asaj periudhe.

Grabitesit arritën në Louvre pak pas hapjes së muzeut dhe në vetëm 7 minuta arritën të iknin me disa nga thesaret më të çmuara franceze, përfshirë varëse, vathë dhe brosha të zbukuruara me mijëra diamante dhe gurë të çmuar.

Përpjekjet e Louvre-it për të parandaluar grabitjen dështuan, sipas drejtores së muzeut, Laurence des Cars, e cila pranoi se sistemi i mbikëqyrjes me kamera ishte i vjetër dhe i pamjaftueshëm.

“Ne dështuam në mbrojtjen e këtyre bizhuterive. Kam marrë përgjegjësinë për këtë,” tha ajo.

Megjithatë, reagimet për fushatën e Böcker kanë qenë kryesisht pozitive në rrjetet sociale, me komente që e quajnë “gjeniale” dhe një shembull i “cilësisë gjermane”.

Kjo situatë ka kthyer një grabitje dramatike në një mundësi marketingu të pakrahasueshme, duke bërë që kompania Böcker të arrijë mbi 1.7 milionë shikime në Instagram, krahasuar me 15-20 mijë zakonisht.

Autoritetet franceze po punojnë për të kapur grabitësit, të cilët dyshohet se vepruan nën urdhra të një organizate kriminale. Louvre-i ka rihapur dyert pak ditë pas grabitjes, ndërsa Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez siguroi publikun për përparimin e hetimeve.

Kjo ngjarje është tashmë një nga grabitjet më të bujshme në histori, ndërsa Böcker ka shndërruar një moment dramatik në një histori suksesi publicitar.