KreuBusull

Kryebashkiaku i parë mysliman i New York-ut, "makthi i Trump" fiton zgjedhjet!

 

Zohran Mamdani u zgjodh kryetar bashkie i qytetit të New York-ut. 34-vjeçari, i cili e përshkruan veten si "makthi më i keq i Trump", fitoi 60.2 përqind të votave, duke shënuar një fitore të madhe për krahun progresiv të Partisë Demokratike.

Në një fitore për krahun progresiv të Partisë Demokratike, Mamdani mundi ish-guvernatorin Andrew Cuomo dhe republikanin Curtis Sliwa. Duke folur mes duartrokitjeve, Mamdai i tha turmës brohoritëse në New York: "Miqtë e mi, ne kemi përmbysur një dinasti politike. Për aq kohë sa mbajmë mend, punëtorëve të New York-ut u është thënë nga të pasurit dhe ata me lidhje të forta se pushteti nuk u përket atyre, megjithatë, gjatë 12 muajve të fundit, ju keni guxuar të synoni diçka më të madhe. Sonte, kundër të gjitha parashikimeve, ne e kemi kapur atë", tha Mamdani.

Me këtë fitore, demokrati do të skalitë vendin e tij në histori si kryebashkiaku i parë mysliman i qytetit, i pari me trashëgimi nga Azia Jugore dhe i pari i lindur në Afrikë. Ai gjithashtu do të bëhet kryebashkiaku më i ri i qytetit në më shumë se një shekull, kur të marrë detyrën më 1 janar.

Sipas Bordit Zgjedhor të qytetit, më shumë se 2 milionë njujorkezë hodhën votën në garë, pjesëmarrja më e madhe në një garë për kryetar bashkie në më shumë se 50 vjet.

Ndërsa demokratët kryesorë festuan rezultatet si një fitore të madhe ndaj Trump, presidenti amerikan reagoi shpejt ndaj rezultateve të martën në mbrëmje me një postim mbrojtës në mediat sociale.

Duke cituar anketuesit, Trump tha se

 “TRUMP NUK ISHTE NË FLETËN E VOTIMIT” dhe mbyllja e qeverisë federale “ISHIN DY ARSYET QË REPUBLIKANËT I HUMBËN ZGJEDHJET SONTE”.