KreuBusull

Tragjedi në Australi: 80-vjeçarja vdes pasi u la pas nga anija e kroçerës

Tragjedi në Australi: 80-vjeçarja vdes pasi u la pas nga anija e

Një udhëtim luksoz përreth Australisë ka përfunduar në tragjedi për një grua 80-vjeçare, e cila humbi jetën pasi mbeti e braktisur në Ishullin Lizard, në Queensland-in verior. Viktima është identifikuar si australianja Suzanne Rees, e cila po udhëtonte vetëm me anijen Coral Adventurer, në një kroçerë 60-ditore me vlerë rreth 52,681 dollarë amerikanë.

Sipas raportimeve të mediave australiane, Rees nuk arriti të kthehej në bord pas një ekskursioni në ishullin e njohur për zhytje dhe ngjitje. Ajo ishte pjesë e një grupi që po ngjitej drejt majës më të lartë të ishullit, Cook’s Look, një shteg që përshkruhet si “sfidues”. Në një moment gjatë ngjitjes, ajo ndaloi për shkak të lodhjes dhe temperaturave të larta.

Sipas vajzës së saj, Katherine Rees, e moshuara u dërgua poshtë e pashoqëruar, ndërsa grupi dhe anija u larguan pa kryer një numërim pasagjerësh.

“Na thanë se ishte një ditë shumë e nxehtë dhe se mamaja u ndje keq gjatë ngjitjes. Ajo u kthye vetë poshtë, por anija u nis pa e kontrolluar nëse të gjithë ishin kthyer,” rrëfeu ajo për The Australian.

“Në një moment gjatë asaj kohe, ose pak më pas, mamaja ime vdiq e vetme.”

Policia beson se gruaja ka rënë nga një shkëmb dhe ka ndërruar jetë në rrethana “të papritura, por jo të dyshimta”. Trupi i saj u gjet një ditë më pas nga një helikopter kërkim-shpëtimi Nautilus Aviation, pasi anija raportoi mungesën e saj me rreth pesë orë vonesë, kur nuk ishte paraqitur në darkë.

Ekspertët e kroçerave janë shprehur të habitur se si mund të ndodhë një neglizhencë e tillë në një anije që mban vetëm 120 pasagjerë.

“Zakonisht ekziston një sistem elektronik që regjistron çdo pasagjer që hipën dhe zbrit nga anija. Është e pakuptueshme si nuk u krye një kontroll,” tha eksperti Adrian Tassone për programin Sunrise.

Në një deklaratë për news.com.au, drejtori ekzekutiv i Coral Expeditions, Mark Fifield, konfirmoi ngjarjen dhe shprehu ngushëllimet për familjen.

“Jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar për këtë humbje tragjike. Po bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet për hetimet dhe po ofrojmë mbështetje për familjen e zonjës Rees,” tha ai.

Familja e viktimës ka kërkuar një hetim, për të përcaktuar nëse kompania e kroçerës mund të kishte ndërhyrë për ta shpëtuar.

“Shpresoj që hetimi të tregojë çfarë mund të ishte bërë ndryshe për të shpëtuar jetën e saj,” tha Katherine Rees.

Ngjarja ka hapur debate të forta në Australi mbi standardet e sigurisë dhe kujdesit për pasagjerët në udhëtimet detare luksoze.