KreuBusull

Shqipëria në play-off, Duka: Kisha shumë tension, emocion dhe stres...

Shqipëria kaloi me sukses fazën e grupeve me 7 ndeshje deri tani nga 8 gjithsej, duke siguruar kualifikim për në play off për Kupën e Botës. Nëse në mars do të arrijmë dy fitore të tjera, do të jemi për herë të parë në finalet e një Botërori.

Pas triumfit në Andorrë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, vlerësoi qetësinë dhe profesionalizmin e kombëtares, duke theksuar se në këto ndeshje nuk ka asnjëherë rivalë të thjeshtë. 

Duka pranoi se tensioni ishte i madh, por fitorja u menaxhua me pjekuri nga lojtarët, ndërsa tani vëmendja është e përqendruar tek sfidat shumë më të vështira që i presin kuqezinjtë në play-off.

Asnjë nuk mund të mendojë se ka kundërshtarë të lehtë; edhe Anglia ka fituar këtu vetëm 0-1. Nuk mendoj se e vumë në dyshim rezultatin, sepse ata nuk na rrezikuan asnjëherë. Ngarkesa ekziston, por mënyra se si e zgjidhëm ndeshjen tregon profesionalizmin e skuadrës.

Futbollistët duket se kanë pasur më pak emocion, kanë qenë më të sigurt, ndërsa unë në tribunë kisha shumë tension. Pa dyshim, patëm një mini-festë në dhomat e zhveshjes dhe tashmë duhet të mendojmë për play-offin. Më pas do të jetë edhe më e vështirë, kushdo që të jetë kundërshtari.

Për koincidencë, në drekën me përfaqësuesit e Andorrës u thashë se ndeshja ime e parë ka qenë humbja ndaj tyre, dhe sekretari i tyre më tha se ai ka qenë trajner në atë takim. I thashë na vratë lojtarin më të mirë të Kombëtares (Sulejman Demollari). Ka shumë ndryshim nga atëherë; ekipi ynë është shumë më i mirë. Por nëse nuk përqendrohesh, bëhet e vështirë edhe ndaj kundërshtarëve të tillë.

Fitorja e Anglisë? Kam parë vetëm ndeshjen tonë; nuk duhej të bënim asnjë hap fals. Kam pasur shumë emocion dhe stres, por më pas u relaksova, sepse skuadra po e menaxhonte shumë mirë ndeshjen.

Broja i mërzitur në fund? Kjo është lojë skuadre dhe nuk mund të diskutojmë kush ka luajtur më mirë apo më keq. Mbase ai nuk ka qenë i kënaqur me veten, por unë jam i kënaqur me të dhe me gjithë skuadrën.”