
Një krim makabër ka tronditur Emiratet e Bashkuara Arabe, ku një çift rus u rrëmbye dhe u vra në mënyrë brutale pasi u josh me premtimin për një takim me “investitorë”. Viktimat janë Roman Novak, 38 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Anna, të cilët prej disa vitesh jetonin në Dubai dhe njiheshin për jetën e tyre luksoze, të ekspozuar shpesh në rrjete sociale përmes makinave sportive dhe udhëtimeve me avionë privatë.
Çifti u shpall i zhdukur rreth një muaj më parë, pasi kishte udhëtuar drejt resortit malor Hatta. Sipas hetimeve, shoferi i tyre personal i kishte dërguar deri në një parking pranë liqenit, ku më pas ata janë marrë nga një tjetër automjet. Pak më vonë, Novak kishte dërguar një mesazh alarmant: “Kam ngecur në male, pranë kufirit me Omanin, më duhen urgjentisht 152 mijë paund.” Pas këtij mesazhi, komunikimi me ta u ndërpre, raporton A2 CNN.
Më vonë, autoritetet gjetën trupat e copëtuar të çiftit, të varrosur në një zonë shkretëtire. Hetimet zbuluan se pas ngjarjes qëndronin tre shtetas rusë, një ish-hetues vrasjesh dhe dy ish-luftëtarë nga lufta në Ukrainë – të dyshuar si autorë të krimit. Sipas autoriteteve, motivi i dyshuar ishte përvetësimi i fjalëkalimit të portofolit të kriptomonedhës së Novakut, i cili megjithatë rezultoi bosh.
Mediet ruse raportojnë se Novak ishte nën hetim për mashtrime me kripto që kapnin shifrën e 38 milionë paundëve, ndërsa pas vdekjes së tij, fëmijët e çiftit janë marrë në kujdestari nga prindërit e Annës.


