Qeveria daneze ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje për të vendosur një kufi minimal moshe prej 15 vjeç për përdorimin e disa rrjeteve sociale, duke u bërë një nga vendet e para në Bashkimin Europian që ndërmerr një hap të tillë.
Ky vendim vjen pas thirrjes së kryeministres Mette Frederiksen muajin e kaluar për kufizime në përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët, për shkak të shqetësimeve në rritje mbi shëndetin mendor të të rinjve. Një shumicë partish në parlament kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë nismë.
“Si një nga vendet e para në BE, Danimarka po ndërmerr një hap historik për vendosjen e kufijve të moshës në rrjetet sociale,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Digjitalizimit. “Qëllimi është të mbrojmë fëmijët dhe të rinjtë në botën digjitale.”
Sipas planit, fëmijët nën 15 vjeç nuk duhet të kenë akses në platformat që mund t’i ekspozojnë ndaj përmbajtjeve ose veçorive të dëmshme, megjithatë prindërit do të kenë mundësinë të japin pëlqimin e tyre për fëmijët mbi 13 vjeç, nëse e konsiderojnë të arsyeshme.
Ende nuk është bërë e qartë se cilat platforma specifike do të përfshihen dhe si do të zbatohet ndalimi.
Si pjesë e marrëveshjes, qeveria daneze ka parashikuar 160 milionë krone daneze (rreth 21.4 milionë euro) për 14 nisma që synojnë forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në internet dhe krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm digjital për ta.
Këto përfshijnë:
forcimin e mbikëqyrjes së Ligjit Evropian për Shërbimet Dixhitale (DSA);
mbështetjen e zhvillimit të platformave alternative të sigurta për fëmijët;
si dhe masa për të luftuar marketingun e paligjshëm nga influencuesit.
“Fëmijët dhe të rinjtë po humbin gjumin, qetësinë dhe përqendrimin për shkak të presionit nga marrëdhëniet digjitale, ku shpesh mungon prania e të rriturve,” – theksoi ministria.
Ministrja e Digjitalizimit Caroline Stage tha se Danimarka po udhëheq Europën në këtë drejtim:
“Ne po marrim një qëndrim të domosdoshëm ndaj një realiteti ku platformat e mëdha teknologjike kanë pasur për shumë kohë qasje të lirë në dhomat e fëmijëve.”
