KreuCelebrity

“Pemës po i fiken dritat”- E ëma i “tregoi” se po i afrohej vdekja, Pirro Çako prek me rrëfimin!

“Pemës po i fiken dritat”- E ëma i “tregoi” se

“Nuk ka më kush t’i ndezë dritat e bredhit.” Kjo fjali e thjeshtë, por e mbushur me dhimbje, përmbylli rrëfimin prekës të Pirro Çakos për humbjen e nënës së tij, Luiza Çako, e cila u nda nga jeta në shtator të këtij viti.

Artisti ndau historinë pas vargjeve të këngës që ia ka kushtuar asaj, “Nënë, më mungon”, duke zbuluar domethënien e veçantë që fshihet pas simbolit të dritave. Vite më parë, ai i kishte dhuruar së ëmës një pemë jete, të cilën ajo e mbante gjithmonë pranë vetes, si një shenjë shprese në betejën e gjatë me problemet shëndetësore.

Sipas Pirros, pema ishte bërë një lloj simboli mbrojtjeje dhe besimi. “Ia bleva kur ishte në spital. E mbante pranë kokës dhe kishte vite që e shoqëronte. Mamaja kishte probleme shëndetësore, por ajo pemë sikur e mbante gjallë. Sikur Zoti e ruante përmes saj,” rrëfeu ai.

Pas pesë vitesh, një vërejtje e nënës e tronditi thellë. Ajo i kishte thënë se dritat e pemës po shuheshin dhe se kishin mbetur ndezur vetëm pak prej tyre. Pirro e kuptoi menjëherë se pas atyre fjalëve fshihej një mesazh i heshtur për gjendjen e saj.

“Më tha: ‘Bir, po i shoh dritat e pemës, shumica janë fikur, kanë mbetur shumë pak.’ E ndjeva menjëherë çfarë donte të më thoshte. U afrova dhe pashë që vërtet kishin mbetur ndezur vetëm rreth 20 për qind,” tregoi ai, duke e përshkruar momentin si një drithërimë që nuk do ta harrojë kurrë.

Vetëm një javë më vonë, Luiza Çako u nda nga jeta. Ky kujtim iu rikthye Pirros ndërsa ishte ulur pranë pianos, duke u shndërruar në frymëzim për vargun që sot përmbledh gjithë dhimbjen e tij: mungesën e nënës dhe dritat që, për të dy, u fikën përgjithmonë.