Gjykata Kushtetuese vendosi këtë të premte të rikthejë në detyrë zv.kryeministren Belinda Balluku, duke pezulluar përkohësisht zbatimin e dy vendimeve të GJKKO-së që parashikonin largimin e saj nga posti.
Në seancën e sotme, Kushtetuesja urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025, vetëm për pjesën që lidhet me ndalimin e ushtrimit të detyrës nga Balluku.
“Pezullimi i ekzekutimit të vendimeve nr. 118 dhe nr. 120 të Gjykatës së Posaçme, për pjesën që ka të bëjë me ndalimin e ushtrimit të një detyre publike nga shtetasja Belinda Balluku, do të jetë në fuqi deri në përfundimin e shqyrtimit të ankimit nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në vendimin e bërë publik.
Ky akt do të botohet edhe në Fletoren Zyrtare, duke i lejuar Ballukut rikthimin në detyrë deri në vendimin përfundimtar të Kushtetueses.
Më 26 janar, Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë seancën publike ku do të shqyrtohet ankesa e paraqitur nga kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë, masa e bllokimit të pasaportës për zv.kryeministren mbetet në fuqi. Asaj i ndalohet të dalë jashtë vendit gjatë kohës që po hetohet dhe mban statusin e të pandehurës nga SPAK.
Para vendimit të sotëm, kryeministri Rama kishte reaguar disa herë publikisht, duke shprehur shqetësimin se pezullimi i Ballukut kishte bllokuar shumë procese dhe akte qeveritare.
Sipas tij, GJKKO ka tejkaluar kompetencat duke pezulluar ministra nga detyra, ndaj i kërkoi Gjykatës Kushtetuese një interpretim të qartë mbi kufijtë mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv.
GJKKO, nga ana e saj, e kishte argumentuar masën e pezullimit me rrezikun e mundshëm për prishje provash dhe përsëritje të veprës penale.

