Viti i kaluar ishte triumfues për Rozana Radin dhe Sany Dimitrin, të cilët u shpallën fitues në “Kënga Magjike 2024” me këngën “Akoma”. Performanca e tyre e fuqishme la përshtypjen e një bashkëpunimi artistik të konsoliduar dhe të një raporti të shkëlqyer mes dyshes. Por vetëm pak kohë pas fitores, ky partneritet u shkatërrua papritur, duke u kthyer në një ftohje të plotë të marrëdhënieve.
Rozana foli hapur për herë të parë mbi arsyet e prishjes së komunikimit me Sanyn, duke e cilësuar atë “mosmirënjohës” dhe duke theksuar se mes tyre nuk ekziston më asnjë lloj lidhjeje. “Nuk kam asnjë komunikim. Nuk më pëlqejnë njerëzit mosmirënjohës,” deklaroi ajo.
Ajo tregoi se konflikti nisi kur emri dhe imazhi i saj u përdorën për të promovuar koncerte ku ajo nuk ishte e ftuar dhe nuk merrte pjesë. Rozana u vu në pozitë të vështirë pasi njerëzit kishin blerë bileta duke menduar se do ta shihnin në skenë. “Dy muaj pasi dola nga Big Brother, gjeta veten në një poster koncerti ku nuk merrja pjesë. Është përdorur emri im, njerëzit kanë prerë bileta për mua,” u shpreh këngëtarja.
Reagimi i Sanyt erdhi menjëherë pas deklaratave të saj. Në një intervistë për “Living Day”, ai pranoi se nuk kanë më komunikim, por mohoi kategorikisht akuzën e mosmirënjohjes.
“Kam dëgjuar që ka thënë që jam mosmirënjohës, por nuk mendoj se jam dhe as kam qenë. Këtë e tregojnë edhe postimet e mia, ku gjithmonë kam falënderuar çdo njeri që ka kontribuar,” u shpreh ai.
Sa i përket përdorimit të fotos, ai shtoi: “Fotoja është publike dhe mund të përdoret nga kushdo. Nëse kjo çon në keqinterpretim, unë s’di çfarë të them.”

