Duket se publiku dhe fansat e reality show më të ndjekur në Shqipëri po presin me padurim nisjen e edicionit të 5 të Big Brother Vip Albania. Ndërkohë që presim 20 dhjetorin për të zbuluar konkurrentët e këtij viti, kurioziteti rritet edhe për Big Brother Fan Club, ku një nga opinionistet, Françeska Murtati, u zbulua ekskluzivisht në Goca & Gra të martën e kaluar.
Tashmë vëmendjen e ka marrë zhurma në rrjet për moderatoren e këtij edicioni, e cila çdo të diel ndjek dhe diskuton ndodhitë më të famshme në Shqipëri së bashku me të eliminuar, opinionistë dhe ish-banorë. Shumë spekulime u bënë për emrin e saj, dhe postimi me inicialet në Instagram i faqes zyrtare të Big Brother Fan Club duket se i shtoi më shumë benzinë zjarrit për moderatoren e ardhshme.
Llogaritë e të gjithëve sapo kanë nisur. Mes emrave të përfolur janë Egli Tako, e cila u pa si moderatore në rubrikën e saj në E Diell në Top Channel, dhe Sara Gjordeni, po në të njëjtin emision, por me një rubrikë krejtësisht ndryshe. Të dyja kanë reaguar duke mohuar zërat që i lidhnin me rolin e moderatores.
Duket se “sfida” qëndron mes Danja Kokës, e cila ka kaluar me sukses provën si moderatore pas karrierës si modele në emisionin Yjet e Diasporës në Top Channel, dhe Kiara Titos, një fytyrë e dashur nga publiku me një karrierë të gjatë në moderim. Pas mbarimit të Portokallisë, mund të jetë koha që Kiara të hedhë një hap të ri me Big Brother Fan Club, një përgjegjësi e madhe që ajo ka treguar se di t’ja dalë mjaft mirë.
