
Organizata e Miss Finlanda ka marrë një vendim të fortë dhe të pazakontë: heqjen e kurorës së Miss Finlanda 2025 fitueses me origjinë shqiptare, Sarah Dzafce, vetëm pak ditë pas shpalljes së saj. Shkak për këtë është bërë një foto e publikuar vite më parë në Snapchat, e cila, pas rikthimit në qarkullim në rrjetet sociale, u konsiderua gjerësisht si përmbajtje raciste dhe e papranueshme.
Në imazhin e publikuar, Dzafce shihej duke tërhequr skajet e syve me gishta, një gjest i cilësuar shpesh si ofendues dhe tallës ndaj komunitetit aziatik. Për më tepër, fotoja shoqërohej me një mbishkrim në gjuhën finlandeze, i cili interpretohej si referencë fyese ndaj personave me prejardhje kineze.
Publikimi i saj në platforma si Snapchat dhe Instagram ndezi një valë kritikash të forta në Finlandë, sidomos pasi Dzafce tashmë mbante një titull kombëtar dhe përfaqësonte vendin në një nga skenat më të ndjekura të bukurisë.

Organizata e Miss Finlanda reagoi menjëherë, duke nisur një shqyrtim të brendshëm. Pas analizimit të situatës dhe presionit publik, ajo njoftoi vendimin për të hequr kurorën dhe titullin e Miss Finlanda 2025.
Në deklaratën zyrtare, organizatorët theksuan se eventi promovon vlera të respektit, barazisë dhe përfaqësimit pozitiv, dhe se çdo sjellje e cila bie ndesh me këto parime, pavarësisht moshës apo kohës kur ka ndodhur, nuk mund të tolerohet
Me shkarkimin e Dzafces, organizata ka bërë të ditur se titulli i Miss Finlanda do t’i kalojë garueses që u rendit e dyta, e cila pritet të marrë pjesë në evenimentet ndërkombëtare në vend të saj.


