Sara Gjordeni ka hedhur poshtë njëherë e mirë zërat që e qarkulluan gjatë ditëve të fundit, sipas të cilëve ajo ishte në garë për të moderuar FunClub BBVA. Në një deklaratë të zgjeruar në rrjetet sociale, ish-banorja e Big Brother shprehu mirënjohjen për të gjitha përmendjet dhe mbështetjen që ende merr nga publiku, por theksoi se lajmet për një konkurrim mes emrave janë krejtësisht të pavërteta.
Sara u shpreh se ndihet e prekur nga fakti që, edhe pas dy vitesh nga eksperienca e saj në Big Brother, publiku vazhdon ta konsiderojë si një figurë me potencial për ekranin. Megjithatë, ajo nënvizoi se nuk ka qenë dhe nuk është kandidate për të moderuar FunClub-in.
Ajo sqaroi se nuk ka synuar kurrë këtë pozicion, as nuk ka artikuluar ndonjë dëshirë publike për ta marrë. Edhe në rastet kur është pyetur rreth mundësisë së të qenit opinioniste, Sara tha se do ta konsideronte si nder, por nuk ka bërë asnjë përpjekje për të konkurruar. Sipas saj, disa media po përdorin emrin e saj për të krijuar idenë e një gare që “nuk ka ekzistuar asnjëherë”.
Aktualisht, Gjordeni është e përqendruar tek projektet e saj personale, veçanërisht tek zhvillimi i markës së saj “Prime Skincare”. Megjithatë, ajo u dha një lajm të mirë ndjekësve: nga janari, do të rikthehet në televizion me projekte të reja, si një mënyrë për t’i falënderuar për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
“Ju kam zemër,” shkroi ajo në fund të reagimit, nënshkruar me “SARA XX”.


