zohran mamdani

Nga reper në kryebashkiak: Kush është Zohran Mamdani, kryetari i ri i Nju Jorkut? - Celebrity
KreuCelebrity

Nga reper në kryebashkiak: Kush është Zohran Mamdani, kryetari i ri i Nju Jorkut?

Nga reper në kryebashkiak: Kush është Zohran Mamdani, kryetari i

Zohran Mamdani, socialisti demokrat dhe ish-reper nga Queens, ka hyrë në histori si kryebashkiaku i parë mysliman dhe me origjinë aziatike i qytetit të Nju Jorkut, pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet e fundit.

Fitorja e tij u konfirmua mbrëmjen e së martës, duke i hapur rrugën që në janar të marrë detyrën e kryetarit të bashkisë, duke zëvendësuar Eric Adams.

Në fjalimin e tij të parë pas fitores, 34-vjeçari Mamdani, që është gjithashtu personi më i ri në një shekull që zgjidhet në këtë post, deklaroi me tone të forta:

“Nëse ka një qytet që mund t’i tregojë kombit se si të mposhtë Donald Trumpin, është pikërisht ai që e solli atë në skenë Nju Jorku.”

Nga skena e repit në politikë
Para se të hynte në politikë, Mamdani ishte pjesë e skenës së muzikës rap nën emrat Young Cardamom dhe më pas Mr. Cardamom. Ai ka realizuar këngën “#1 Spice” për filmin “Queen of Katwe” të Disney-t në vitin 2016 – një film i drejtuar nga e ëma e tij, regjisorja e njohur Mira Nair. Një tjetër këngë e tij, “Nani”, ishte një dedikim për gjyshen dhe u publikua në vitin 2019.

Në vitin 2020, Mamdani u zgjodh në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, duke u bërë i pari burrë me origjinë nga Azia Jugore, i pari ugandez dhe i treti mysliman që shërben në këtë institucion.

Rruga drejt suksesit
Zohran Mamdani lindi në Kampala, Ugandë, dhe kaloi fëmijërinë mes Afrikës së Jugut dhe SHBA-së, ku familja e tij u vendos kur ai ishte vetëm 7 vjeç. Babai i tij, Mahmood Mamdani, është profesor antropologjie në Universitetin Columbia.

Ai ndoqi shkollën publike në Nju Jork dhe përfundoi studimet në Bowdoin College, ku u diplomua në studime afrikane dhe bashkëthemeloi kapitullin e parë të Students for Justice in Palestine në universitet.

Mamdani mori shtetësinë amerikane në 2018 dhe punoi si këshilltar për parandalimin e humbjes së banesave në Queens – një përvojë që, sipas tij, e frymëzoi të hynte në politikë për të mbrojtur familjet me të ardhura të ulëta.

Jeta personale dhe polemikat
Kryebashkiaku i ri është i martuar me Rama Duwaji, një artiste me origjinë siriane-amerikane, të cilën e njohu përmes aplikacionit Hinge.

Ndërkohë, figura e tij ka ngjallur edhe kundërshti. Ish-presidenti Donald Trump ka pretenduar – pa prova – se Mamdani ndodhet “në mënyrë të paligjshme” në SHBA, ndërsa disa republikanë kanë bërë thirrje për dëbimin e tij.

Si fitoi Mamdani?
Fushata e tij energjike, e përqendruar tek problemet e jetesës dhe barazia ekonomike, e bëri atë jashtëzakonisht popullor te votuesit e klasës punëtore. Ai përdori me mjeshtëri rrjetet sociale, duke arritur gati 5 milion ndjekës në Instagram dhe 1.6 milion në TikTok.

Platforma e tij përfshin:

·         transport publik falas,

·         kujdes për fëmijët pa pagesë,

·         rritje të pagës minimale,

·         ndërtime të reja banesash,

·         dhe taksim më të lartë për më të pasurit.

Po ashtu, ai ka premtuar të punësojë mijëra mësues të rinj, të rinegociojë kontratat e qytetit dhe të ngrijë qiratë për më shumë se një milion banesa të rregulluara me qira.

“Fitore e jonë është dëshmi se Nju Jorkezët guxuan të besojnë se e pamundura mund të bëhet e mundur,” tha Mamdani në fjalimin e tij të fitores.

Kritikët e kanë cilësuar platformën e tij “tepër ambicioze dhe të paqëndrueshme ekonomikisht”, por përkrahësit thonë se Mamdani ka sjellë një frymë të re shprese dhe ndryshimi në politikën e qytetit.