Seriali i njohur turk dhe shumë i dashur nga shqiptarët i cili transmetohet në Tv Klan, "Një dashuri" do të ketë disa ndryshime të mëdha në historinë e tij. Aktorja e dashur Sıla Türkoğlu, e cila që nga viti 2022 i ka dhënë jetë personazhit Doğa Ünal, ka vendosur t’i japë fund rrugëtimit të saj në këtë projekt.
Prej disa javësh qarkullonin zëra për largimin e saj, sidomos pas skenave ku personazhi i Doğas pësoi një aksident. Megjithatë, thashethemet u kthyen në realitet pas deklaratës zyrtare të producentit të serialit, Faruk Turgut.
Në një postim në rrjetin social X, Turgut konfirmoi lajmin duke shkruar:
“Aktorja jonë e dashur Sıla Türkoğlu do t’i japë lamtumirën serialit në episodin e 113-të. Ajo kishte kërkuar të largohej që në fillim të sezonit, por pranoi të qëndronte deri në këtë pikë. I uroj shumë suksese në karrierën e saj, rruga e saj qoftë e mbarë.”
Pas kësaj deklarate, vetë aktorja reagoi me një mesazh falënderues:
“Ju falënderoj shumë Faruk Bey dhe të gjithë ekipin për mundësinë dhe për përvojën e bukur. Dashuria jonë mbetet e ndërsjellë, dhe shpresoj të takohemi sërish në projekte të tjera të bukura.”
Sipas gazetareve turke Birsen Altuntaş dhe Oya Doğan, Sıla Türkoğlu është larguar nga seriali me dëshirën e saj, pas disa ndryshimeve në skenar. Fillimisht ishte planifikuar që personazhi i Doğas të largohej duke ikur me Fırat, por më pas skenari u ndryshua dhe Doğa do të ketë një largim ndryshe nga seriali.
Krahas Sılës, edhe disa aktorë të tjerë si Ece İrtem (Işıl) dhe Batuhan Bozkurt Yüzgüleç (Firaz) do t’i japin fund pjesëmarrjes së tyre në këtë sezon.
Kush është Sıla Türkoğlu?
Sıla Türkoğlu ka lindur më 18 prill 1999 në Izmir (Bornova). Karrierën e saj e nisi në vitin 2018 me serialin Ağlama Anne, dhe u bë e njohur me rolet në Yemin (2019) dhe Emanet (2020). Pas suksesit në këto projekte, ajo mori rolin kryesor në Kızılcık Şerbeti, ku fitoi një bazë të madhe fansash.
Aktorja pritet të fokusohet në projekte të reja pas daljes nga seriali, ndërsa fansat presin të shohin nëse do të rikthehet shpejt në ekran.
