Mira Konçi ka folur hapur për jetën e saj në SHBA, presionet familjare dhe thashethemet që shpesh qarkullojnë rreth saj, shpesh të pabazuara dhe të padrejta.
E ftuar në podcastin e Grida Dumës, këngëtarja pranoi se komentet e njerëzve e lëndojnë, veçanërisht ato që prekin çështje të pavërteta. Ajo tregoi se ka momente kur i lind dëshira t’u përgjigjet ashpër, por zgjedh të ruajë qetësinë, edhe kur e revoltojnë.
“Shpesh më habit siguria me të cilën disa njerëz thonë gjëra që s’janë aspak të vërteta. Në ato momente më vjen t’i bie malit me grusht… Ka gjëra që më revoltojnë vërtet, sepse nuk kanë asnjë lidhje me jetën time. Edhe unë kam pika të dobëta, kam momente ku mund të shpërthej”, u shpreh Konçi.
Ajo rrëfeu edhe arsyen e vendimit për të jetuar në SHBA — një zgjedhje që erdhi natyrshëm për shkak të mundësive që i ofronin fëmijëve.
Ndërsa Mira u përshtat shpejt me jetën e re, bashkëshorti i saj, kompozitori Shpëtim Saraçi, hasi vështirësi: nuk ndihej i plotësuar profesionalisht dhe nuk gjeti dot ambientin që kishte në Shqipëri. Për këtë arsye vendosi të kthehej, ndërsa Mira qëndroi pranë fëmijëve, duke mbajtur peshën kryesore të familjes.
“Unë u përshtata shumë shpejt, nisa punën dhe gjeta ritmin tim. Shpëtimi e pati të vështirë — atje nuk gjeti atë që kishte këtu, nuk ndihej vetja. Në një moment më tha: ‘Nuk rri dot më këtu, po kthehem. Do ishte mirë të vije edhe ti.’ Por unë nuk mund t’i lija fëmijët vetëm. Vendosëm këtë marrëveshje të heshtur: ai u kthye, unë qëndrova me fëmijët. Nuk ishte e lehtë, sepse të gjithë donim të ishim bashkë si familje”, tha ajo mes emocioneve.

