Aktorja dhe këngëtarja e njohur, Vanessa Hudgens, ka mirëpritur në jetë fëmijën e saj të dytë me bashkëshortin Cole Tucker, duke konfirmuar lajmin përmes një postimi emocional në Instagram. Ylli 36-vjeçar i High School Musical publikoi një foto nga shtrati i spitalit, ku shihet e shtrirë në krahun e partnerit të saj, duke zbuluar se procesi i lindjes ka qenë jashtëzakonisht i vështirë.
“E bëra… Solla në jetë një tjetër fëmijë!!! Çfarë udhëtimi është lindja. Respekt për të gjitha nënat është e pabesueshme çfarë mund të bëjë trupi ynë,” shkroi Vanessa, duke treguar gjithashtu se tensioni i lindjes i kishte shkaktuar shpërthimin e enëve të gjakut në sy.

Postimi i saj u mbush menjëherë me komente urimi nga miq, kolegë dhe fansa, të cilët e quajtën Vanessën “mama bear të jashtëzakonshme” dhe u shprehën të emocionuar për ardhjen e anëtarit të ri të familjes.
Aktorja ende nuk ka zbuluar gjininë, emrin apo datën e saktë të lindjes së foshnjës, duke mbajtur një profil disi privat për momentin.
Dyshimet e fansave nisën më herët
Fansat kishin filluar të dyshonin se Vanessa kishte lindur më herët gjatë javës, pasi ajo publikoi një foto mahnitëse nga plazhi, ku barku i saj i rrumbullakosur nuk dukej më. Komentet u mbushën me pyetje të tipit: “A ka lindur tashmë Vanessa?” ndërsa të tjerë vunë re se në disa postime ajo ishte ankuar se kishte qenë “shumë e lodhur” —një tjetër shenjë që rriti dyshimet.
Vanessa Hudgens dhe Cole Tucker u bënë prindër për herë të parë në korrik të vitit 2024, kur mirëpritën një djalë, emri i të cilit ende nuk është bërë publik, por aktorja ka lënë të kuptohet se fillon me shkronjën T.
Vetëm një vit më vonë, ajo njoftoi shtatzëninë e dytë me postimin “round two!”, duke shfaqur barkun me krenari.
Tani, çifti është zyrtarisht familje me dy fëmijë dhe fansat mezi presin të shohin foton e parë të vogëlushit të tyre të sapoardhur.
