Këngëtari i njohur nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, do të përcillet sot për në banesën e fundit. Lajmi i rëndë është konfirmuar nga familjarët e tij, të cilët kanë bërë publike detajet e ceremonisë mortore.
Sipas njoftimit të familjes, homazhet për artistin do të mbahen sot duke filluar nga ora 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku miq, të afërm dhe admirues të muzikës së tij do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në ora 14:00, në varrezat e qytetit, ku Kasapi do të prehet në paqe.
Shpat Kasapi, një nga emrat më të dashur të skenës muzikore shqiptare, ka lënë gjurmë të pashlyeshme me hitet e tij dhe me praninë e tij në skenë. Largimi i tij ka sjellë pikëllim të madh në botën e artit dhe tek publiku që e ka ndjekur me vite.
