Reperi i njohur shqiptar Azet, i cili prej vitesh zhvillon një karrierë të suksesshme në Gjermani, ka thyer heshtjen pas incidentit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Düsseldorf, ku një pajisje e dyshuar shpërthyese shpërtheu në hyrje të një ndërtese në pronësi të tij.
Ngjarja u raportua gjerësisht nga mediat gjermane, duke shkaktuar shqetësim të madh tek banorët e zonës dhe tek mijëra fansa të reperit, teksa dyshohej se shpërthimi mund të kishte lidhje të drejtpërdrejtë me Azet.
Por vetë artisti vendosi të reagojë menjëherë përmes Instagramit, duke mohuar kategorikisht se ka qenë objekt i ndonjë atentati.
“Nuk ka pasur asnjë atentat ndaj meje. Unë kam disa prona, përkatësisht banesa kolektive. I prekur ka qenë një nga këto objekte, unë vetë nuk banoj aty. Ngjarja nuk ka lidhje me mua,” deklaroi Azet.
Ai sqaroi se ndërtesa ku ndodhi shpërthimi është thjesht një nga pronat e tij dhe se nuk jeton në atë adresë, duke u përpjekur të shuajë shqetësimet që janë përhapur pas lajmit.
Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat, motivet e mundshme dhe autorët e incidentit. Deri në këtë fazë nuk raportohet për persona të lënduar, por ngjarja mbetet e paqartë dhe hetimet pritet të japin përgjigje në ditët në vijim.
