Në Pallatin e Kulturës në Tetovë, dhjetëra familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit të dashur, Shpat Kasapit.
Ndër momentet më prekëse të ceremonisë ishte fjalimi i motrës së tij, Jehona Kasapi. E përlotur dhe e shtrënguar nga dhimbja, ajo vështirë gjente fjalët për të shprehur boshllëkun që ka lënë vdekja e vëllait. Në fjalimin e siguruar nga Prive by Liberta Spahiu ajo është shprehur kështu:
“Shpat, shpirti i motrës, ti linde me yll në ballë,” tha Jehona, duke e përshkruar atë si një njeri me shpirt të pastër dhe zemër të madhe. Ajo theksoi se buzëqeshja dhe butësia e Shpatit mbetën të paharrueshme për të gjithë ata që e njohën.
Motra e këngëtarit foli edhe për ndjeshmërinë e tij të veçantë ndaj njerëzve në nevojë, sidomos fëmijëve dhe të moshuarve, duke e cilësuar atë si një njeri që dinte të dëgjonte e të ndjente dhimbjen e të tjerëve.
Në fund, Jehona dha një premtim që emocionoi të gjithë të pranishmit: “Amanetin për Roelin do ta ruaj.”
Ceremonia u mbyll mes lotësh e duartrokitjesh të heshtura, ndërsa figura e Shpat Kasapit u përkujua me nderim dhe mirënjohje për gjithçka la pas.
