Këngëtarja e njohur Orgesa Zaimi ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Bordo”, ku ka zbuluar detaje mbi këngën e saj më të re, Malli. Ajo ka treguar se kënga ka një histori të gjatë mbi dy vjeçare, dhe fillimisht ishte menduar të ruhej si një këngë nostalgjike dhe melankolike, që mund të publikohej pas disa vitesh.
“Është dashur kohë që të flinte tek unë, ta këndoja dhe ta jetoja si këngë, por nuk mund ta duroja më. Refreni është një nga pjesët më të bukura të këngës, që të ngelet në vesh dhe të krijon një emocion shumë të veçantë,” ka treguar Orgesa.
Ajo ka zbuluar gjithashtu se e ka nxjerrë këngën më përpara për shkak të padurimit që kishte:
"Në fakt nëntë muajshe e ca kam lindur, po më thonë që je shumë shtatanike dhe kjo ishte arsyeja pse e nxora më përpara."
Procesi i realizimit të këngës ka zgjatur dy vite, duke filluar nga demo e këngës nga Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku dhe duke kaluar në disa studio, për të arritur versionin final në studion e Jeris Kaso.
“Ka qenë një proces shumë i bukur. Më pëlqen kur këngët realizohen në këtë mënyrë, të menduara dhe të jetuara,” ka shtuar ajo.
Sa i përket mesazhit të këngës, Orgesa e përshkruan Malli si një emocion i shumëanshëm:
“Personifikon mungesë, dashuri, nostalgji dhe forcë shpirtërore. Është një ndjenjë që nuk mund të përkufizohet vetëm në dashuri, por mund të jetë për dikë për të cilin ke mall, edhe nëse nuk është pranë teje.”
Orgesa ka treguar se kënga ruan stilin e saj të njohur muzikor, duke respektuar natyrën dhe zërin e saj, por është gjithashtu pjesë e një koncepti më të gjerë muzikor që ka realizuar me Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku. Ajo ka shprehur dëshirën për të eksploruar edhe më shumë zhanre dhe autorë të rinj në të ardhmen, pa tradhëtuar identitetin e saj artistik.
Kënga Malli është tashmë e disponueshme për publikun dhe premton të bëhet një nga hitet e saj më të ndjera për fansat.
Intervista e plotë më poshtë:
