Kosova ka shënuar një nga sukseset më të mëdha sportive në arenën ndërkombëtare, falë karateistit Islam Selmani, i cili sot ka arritur të shpallet nënkampion i botës në kategorinë deri në 60 kilogramë, në Kampionatin Botëror të Karatesë të mbajtur në Kajro.
Në finalen e madhe të zhvilluar më 30 nëntor, Selmani u përball me turkun e fuqishëm Eray Samdan, një nga emrat më të njohur globalë të këtij sporti. Pas një dueli të fortë dhe teknik, karateisti kosovar u rendit i dyti në botë, duke siguruar medaljen e argjendtë një arritje e paprecedentë për sportin kosovar.
Rruga drejt finales ishte po aq mbresëlënëse. Vetëm një ditë më parë, më 29 nëntor, Selmani dominoi gjysmëfinalen kundër garuesit nga Uzbekistani, Mekhriddin Turakhonov, duke e mposhtur bindshëm me rezultat 9:1.
Ky sukses shënon një moment historik për Kosovën, pasi është hera e parë që një karateist nga vendi arrin në finalen e një Kampionati Botëror dhe fiton titullin e nënkampionit. Performanca e Selmanit po konsiderohet si një gur kilometrik që e çon sportin kosovar në një nivel krejt tjetër në skenën botërore.
