Në sezonin më të ri të reality-show-t “The Kardashians”, Kris Jenner ka habitur publikun me një tjetër hap të pazakontë: planifikimin e vendit ku ajo dhe familja e saj do të prehen pas vdekjes. E fiksuar pas organizimit dhe rregullit, Kris vendosi që së bashku me Khloe-n të vizitojë varrezat për të parë opsionet e mundshme të varrimit.
Gjatë një bisede në FaceTime me vajzat e tjera, ajo tregoi se po mendon seriozisht për idenë e ndërtimit të një mauzoleumi familjar. “Jam njeri me OCD dhe më pëlqen t’i kem të gjitha nën kontroll. Është detyrimi im si kryefamiljare që t’i mbledh të gjithë dhe të vendosim që tani, në mënyrë që nëse ndodh diçka, askush të mos panikohet,” tha Jenner, sipas People.
Ajo shtoi me humor se vendi që po shikonin ishte vetëm pak hapa larg një dyqani Costco. “Mund të shkoni, të bëni pazarin dhe pastaj të vini të më përshëndetni,” i tha ajo Khloe-s, duke e kthyer edhe një moment kaq të rëndë në një situatë tipike të humorit të Kardashianëve.
Khloe nga ana e saj shprehu dëshirën që të digjej, por Kris e kundërshtoi duke thënë se Kylie nuk e pëlqente këtë ide — dhe se, sipas saj, familja tashmë kishte hapësirë të mjaftueshme për të gjithë në një vend të përbashkët.
Në fund, 68-vjeçarja la edhe një deklaratë që u komentua gjerësisht: pasi të ndahet nga jeta, Kris thotë se e imagjinon veten “duke pirë një martini në parajsë, ndërsa shikon nga lart se si vazhdon shfaqja”.
