Lidhja me Princin Leka duket që i ka prirë shumë Blerta Celibashit, e cila u shfaq shumë më ndryshe sesa në fillesat e lidhjes me të: Imazhi i saj ishte mjaft më i kuruar, e po kështu ishte edhe më e gatshme në rrëfimin me Arbana Osmanin të tregonte të vërtetën e saj.
“Ka histori që nuk i shkruajnë portalet, por zemrat e atyre që i jetojnë. Titujt e nxituar flasin shumë, por nuk njohin të vërtetën tonë, atë që ruhet me dinjitet dhe askush nuk mund ta bëjë pis.
Sonte, me Arbana Osmanin, në një bisede të ndjerë dhe me dashuri, ndajmë atë që deri tani ka mbetur e pa folur”, ka shkruar fotografja në Instagram.
Sipas Lekës, ndarja e tij nga Elia erdhi në disa faza. Sipas tij, fillimisht ka qenë faza emocionale, distancimi dhe më pas divorci. Siç tregon ai, ata jetonin në të njëjtën shtëpi, por të distancuar, madje edhe fotot familjare që publikonin, ishin falso.
“Kemi pasur një raport korrekt. Ndarja ka ardhur me fazë të ndryshme, ka qenë ajo faza emocionale, distancimi, kemi jetuar në një shtëpi, por të distancuar, kam qëndruar vetëm më vajzën, por nuk kishim kontakt, as fizik. Herë pas herë kemi qenë për mediat, foto, një kartolinë e bukur, por krejtësisht falso. Ka qenë faza ligjore”, tha ai i ftuar në “Mirëmbrëma Yje”.
Ndër të tjera ai pretendon se mes tyre nuk ka pasur tradhti, pasi ai i ka treguar Elias për lidhjen që po niste me fotografen e familjes së tyre, Blerta Celibashi.
“Me të gjithë këto strese, edhe Blerta ka qenë viktime e të gjitha sulmeve, narrativeve që nuk ishin reale. Nuk ka pasur tradhti. Presion i parë që unë kam njoftuar për lidhjen time me Blertën, ka qenë pikërisht Elia. I kam thënë Elias para se të përqafohesha me Blertë, që jam takuar me Blertën”, tha ai.


