Në Japoni po fiton gjithnjë e më shumë terren një fenomen i pazakontë: kafene të veçanta të quajtura “Crying Café”, ku njerëzit, kryesisht gratë, shkojnë për të qarë dhe për t’u çliruar nga stresi i përditshëm.
Në këto ambiente, shpesh të shënuara me mbishkrime si “Negative people only” (vetëm njerëz negativë), vizitorët inkurajohen të shprehin hapur emocionet e tyre pa frikë nga gjykimi. Ideja lindi si përgjigje ndaj presionit të madh dhe izolimit emocional që përjetojnë japonezët, sidomos gratë, të cilat ndihen më të ngarkuara nga ritmi i shpejtë i jetës moderne.
Një nga vendet më të njohura është “Bar Mori Ouchi” në Tokio, i cili prej vitit 2020 i ka hapur dyert vetëm për ata që ndihen të trishtuar dhe duan të shkarkojnë emocionet e mbajtura brenda, gjithmonë duke shoqëruar momentin me një pije. Krahas kafeneve, disa hotele të njohura në Japoni kanë nisur të ofrojnë edhe “dhoma lotësh”, të menduara posaçërisht për gratë që kërkojnë një natë çlirimi emocional, të shoqëruar me filma dramatikë dhe komoditet të plotë.
Ky trend lidhet me një praktikë japoneze të njohur si rui katsu, që do të thotë “aktiviteti i të qarit”. Shpesh i organizuar në grupe apo ambiente pune, ky ritual shihet si një mënyrë për të pastruar mendjen dhe për të rigjetur ekuilibrin emocional.
Sociologët e shohin fenomenin si një “hapësirë çlirimi” në një shoqëri ku shprehja e emocioneve shihet ende si dobësi. Veçanërisht për gratë, të cilat tradicionalisht bartin peshën më të madhe të pritshmërive sociale, këto kafene po kthehen në një mjedis ku lotët nuk fshihen, por mirëpriten.
Mbetet për t’u parë nëse ky fenomen do të arrijë të përhapet edhe në Perëndim, ku kafene dhe baret lidhen zakonisht me gëzim, shoqëri e festë, e jo me hapësira për lot dhe trishtim.

