Reperi i njohur Mozzik është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë për një arsye të pazakontë. Ditë më parë, ai publikoi në rrjetet sociale një orë luksoze të markës prestigjioze “Richard Mille”, të cilën e prezantoi si dhuratë që ia kishte bërë vetes për ditëlindje.
Por situata mori një kthesë të papritur sapo artisti hyri në Kosovë. Dogana e Kosovës njoftoi se kishte konfiskuar dy orë të pa deklaruara në kufi – një “Richard Mille” dhe një “Rolex” – me vlerë totale mbi 1.34 milionë euro. Autoritetet theksuan se orët ishin kapur gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër, ku nuk ishin bërë deklarimet përkatëse.
Zhvillimi më i madh erdhi më vonë, kur pas ekzaminimeve të kryera doli se ora e prezantuar si “Richard Mille” nuk ishte aspak origjinale. Lajmin e konfirmoi zyra e avokatëve “Vokshi&Lata”, që përfaqëson zyrtarisht kompaninë zvicerane “Richard Mille”.
Në reagimin e tyre thuhej qartë:
“Ora e ndaluar nga Dogana e Kosovës nuk është origjinale Richard Mille. Bëhet fjalë për një falsifikat, fakt i konfirmuar nga ekspertiza zyrtare e kompanisë.”
Rezultati tashmë i është komunikuar Doganës së Kosovës dhe pritet që procedurat ligjore të vazhdojnë.
Pas këtij lajmi, Mozzik ka bërë një reagim në Story në Instagram, duke qeshur.


