Katër muaj pas vdekjes së djalit të saj, Trigg, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike në maj pasi u mbyt në pishinën familjare, influencuesja Emilie Kiser është rikthyer në TikTok. Vogëlushi ishte vetëm tre vjeç.
“Përshëndetje! Nuk e di as çfarë të them”, e nisi videon Emilie, e cila kishte vendosur një varëse me emrin e djalit të ndjerë, duke shtuar:
“Ka kaluar kohë që prej herës së fundit që kam hyrë këtu (në TikTok). Nuk do gënjej, jam shumë nervoze tani. Nuk jam e sigurt nëse ka ndonjë mënyrë të duhur për ta nisur këtë video, por do të bëj më të mirën time. Më ka munguar shumë të flas me ju çdo ditë. E dua shumë këtë komunitet që kemi krijuar këtu dhe shpresoj që duke u rikthyer dhe duke ndarë atë që zgjedh të ndaj, të mund të rilidhem me ju dhe ndoshta, të ndihmoj dikë tjetër që po kalon një situatë të ngjashme.”
Emilie theksoi: “Kam qenë offline për ca kohë. Po përpiqem çdo ditë të kuptoj se si të eci përpara, si ta rindërtoj jetën time”.
Duke përmendur se sa të vështira kanë qenë muajt e fundit, Emilie theksoi se “nuk ka ndërmend të fshehë dhimbjen apo të shtiret në videot e saj”.
“Nuk do të sillem sikur gjithçka është në rregull dhe nuk dua që të duket kështu me faktin që po rikthehem dhe po krijoj sërish përmbajtje në TikTok. Kjo është shumë terapeutike për mua. Më mungon të flas me ju, por nuk e di si do të duket e gjithë kjo në vijim. Nuk e di sa shumë jam gati të ndaj, sidomos kur bëhet fjalë për rrugëtimin tim me dhimbjen.”
Influencuesja pranoi se ende “po përpiqet ta përpunojë gjithçka ndodhi, çdo ditë, në mënyrën më të mirë që mundet”.
“Nuk e di kur do të jem plotësisht gati. Nëse po kaloni diçka të ngjashme, dua vetëm t’ju them se ju dua, jam këtu për ju dhe e kuptoj sa e vështirë është.”
Trigg u gjet pa ndjenja në pishinën e familjes në Arizona nga i ati, Brady Kiser. Sipas raportit të policisë, Trigg kishte mbetur pa mbikëqyrje në oborr për më shumë se 9 minuta dhe kishte qenë “në ujë për 7 nga ato minuta”.
Ai u dërgua me urgjencë në spital dhe u shpall i vdekur më 18 maj. Në atë kohë, Brady ishte i vetmi prind në shtëpi me Trigg dhe djalin tjetër të çiftit, Theodore, 6 muajsh. Brady, sipas raportit, kishte vendosur një bast prej 25 dollarësh për një ndeshje të NBA-së (New York Knicks), më shumë se një orë përpara se Trigg të mbytej në pishinën e oborrit. Ai fitoi 102.50 dollarë nga ai bast.
Policia e Chandler, Arizona, raportoi se “vëmendja e Brady-t ishte “e ndarë” mes kujdesit për fëmijët dhe ndjekjes së lojës”. Por pas vdekjes së Trigg, Emilie Kiser ngriti padi ndaj disa institucioneve në Arizona për të mbajtur private detajet e vdekjes së djalit të saj.


