Një ngjarje e rëndë ka tronditur Meksikën dhe ka ndezur debate të forta mbi ndërhyrjet estetike tek të miturit. Paloma Nicole Arellano, vetëm 14 vjeç, ndërroi jetë në shtetin Durango, pas komplikimeve të rënda shëndetësore të lidhura, sipas familjes, me një ndërhyrje kirurgjikale për zmadhim gjoksi.
Sipas mediave vendase, operacioni u krye më 12 shtator. Menjëherë pas procedurës, adoleshentja nisi të shfaqte probleme serioze shëndetësore, derisa mjekët u detyruan ta fusnin në koma. Pas një jave agonie, Paloma ndërroi jetë në spital.
Në certifikatën zyrtare të vdekjes u shënua “edemë cerebrale e shkaktuar nga një sëmundje respiratore”. Por babai i saj, Carlos Arellano, e ka hedhur poshtë këtë version, duke deklaruar se vdekja është pasojë e drejtpërdrejtë e operacionit estetik të kryer fshehurazi, pa dijeninë e tij.
“Na dhanë menjëherë certifikatën. Nuk e di si e bënë kaq shpejt. Në funeral, kur pashë trupin e saj, kuptova se ajo kishte kryer operacion. Po përpiqen ta fshehin të vërtetën”, – u shpreh ai për mediat.
Arellano ka dorëzuar një ankesë zyrtare, duke kërkuar hetime të plota për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore.
Si ndodhi ngjarja?
Një ditë para operacionit, Carlos kishte marrë një telefonatë nga ish-bashkëshortja e tij, e cila i tha se ajo dhe vajza kishin rezultuar pozitivë me Covid-19 dhe se do të izoloheshin në malet e Durangos, në një shtëpi pa shërbim telefonik. Ai u shqetësua, por nuk kishte asnjë dyshim se pas kësaj mund të fshihej një operacion estetik.
E vërteta u zbulua vetëm në ditën e funeralit, kur babai kuptoi se Paloma kishte vdekur pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Operacionin e kishte kryer partneri aktual i nënës së saj, kirurgu Victor “N”, me pëlqimin e nënës, por pa miratimin e Carlosit.
Ndërhyrja solli pasoja të rënda: arrest kardiak, komplikime respiratore dhe ënjtje masive të trurit, që e çuan adoleshenten në koma. Vetëm në momentet e fundit, nëna vendosi ta informonte ish-bashkëshortin për gjendjen e vajzës së tyre.
Reagimet dhe pasojat
Rasti ka hapur një debat të gjerë publik në Meksikë mbi moshën minimale të lejuar për ndërhyrje estetike dhe mbi mungesën e kontrollit të rreptë në klinikat private. Autoritetet e Durangos kanë hapur një hetim zyrtar për rastin.
Presidentja Claudia Sheinbaum reagoi duke theksuar se:
“Ky rast duhet hetuar deri në fund dhe përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë.”
Tragjedia e Paloma Nicole Arellano po shihet si një kambanë alarmi për rreziqet që shoqërojnë ndërhyrjet estetike tek të miturit dhe si një thirrje urgjente për reforma më të ashpra ligjore dhe mjekësore në këtë fushë.


