KreuCelebrity

Lindita Vrushi: Në harmoni me natyrën

Në një botë ku gjithçka po lëviz me ritme të shpejta dhe shpesh artificiale, rikthimi te natyra nuk është më thjesht një trend, por një domosdoshmëri. Bimët aromatike medicinale, të cilat prej shekujsh kanë qenë pjesë e jetës dhe shëndetit të njeriut, po marrin sot një vëmendje të re falë kërkimit shkencor dhe inovacionit. Në këtë numër, ju sjellim historinë frymëzuese të Lindita Vrushit, themeluese e “Amel Care” dhe “Amel Extract”, e cila rrëfen sesi nisi këtë rrugëtim nga pasioni për kiminë dhe natyrën, për të mbërritur në laboratorë të certifikuar ku prodhohen produkte që synojnë mirëqenien e plotë. Një udhëtim që na kujton se përgjigjet më të thjeshta shpesh i gjejmë aty ku gjithçka fillon: në natyrë. 

Lindita, çfarë është “Amel Care” dhe “Amel Extract”? 

Amel është pak akronimin, A - aroma e natyrës e bimëve medicinale, M - medicina, E - ekstrakt i bimëve dhe L - laborator. “Amel Care” është një brand që krijon produktet e kujdesit jo vetëm të lëkurës, por në total të shëndetit. Ndërsa “Amel Extract SHPK” është kompania mëmë që bën ekstraktimin, pra lidhet direkt me natyrën, merr bimët e florës sonë shqiptare dhe asaj botërore, i ekstrakton, i studion dhe i bën përbërës aktivë për farmaceutikën, ushqimin, suplementet, kujdesin e lëkurës, deri tek industria e përpunimit të ushqimeve për kafshët dhe tokën. Pra, ne ia marrim tokës përmes luleve dhe ia kthejmë prapë asaj. Është një cikël i mbyllur: nis te mali ku marrim bimët, i ekstraktojmë dhe studiojmë, i kthejmë në përbërës aktivë, i përdorim për të mirat tona dhe pastaj ia kthejmë prapë tokës.  

Si lindi pasioni për të studiuar bimët dhe natyrën? 

Pasioni lindi që në shkollë të mesme ku jam marrë me kiminë organike dhe që atëherë i pata këto indikacione, por kur dolëm në jetë kam takuar një profesor të nderuar, Uran Asllanin. Ai nuk jeton më, por është thesar i Shqipërisë, sepse ka lënë studime pafund për bimët aromatike medicinale. Unë dhe im shoq u bëmë fillimisht pjesë e një qendre në Elbasan ku ekstraktohej sherbelë me profesor Asllanin. E nisëm si studim, por duke parë trendin rritës të kërkesës për ekstrakte, thamë do ta bëjmë tonën këtë gjë. Sa vjen pranvera ne jemi maleve, flasim me fermerët dhe njerëzit e zonave që e njohin natyrën dhe bimët me emrat komunë. Pastaj i kthejmë në emra latinë dhe po mësojmë shumë. Kemi ecur 3 orë në këmbë mbi lëndinat e Kelnit për të gjetur Narcizin. Ishte maj dhe pyetëm banorët e zonës: e dini çfarë luleje është kjo? “Ne nuk e presim këtë lule sepse është helm, biles as bagëtitë nuk i sjellim këtu”, – thanë ata, sepse sipas gojëdhënave u ngordhnin bagëtitë sa herë shkonin aty. Në fakt përbërja kimike e Narcizit ka toksike për bagëtitë dhe njerëzit, por ama ekstrakti i tij është mahnitës, ka vlera të papara për shëndetin, përdoret për ilaçe dhe parfumet më luksoze.  

Ju ka frymëzuar Shqipëria për larmishmërinë e bimëve? 

Është mahnitëse. Për shembull, sherbelën tonë kanë dashur ta kultivojnë në Gjermani, por nuk kanë arritur të gjejnë komponimet kimike që ndodhen te sherbela shqiptare, sepse ka të bëjë toka, ujërat nëntokësorë, klima jonë, janë shumë faktorë në kultivimin e bimëve.  

Shpesh kemi dëgjuar “Natyra i ka të gjitha ilaçet”, si e shihni, a është realitet? 

Po është e vërtetë, sepse natyra ka mbi 3 mijë vjet që i ka ilaçet dhe ato kanë ardhur gjatë rrugës, kanë humbur gjatë evolucionit, kanë ardhur dhe janë zhdukur kohë pas kohe, njerëzit i kanë përdorur, i kanë zhdukur përdorimet e tyre. Mjekësia moderne apo farmaceutika nëse bën përbërës aktivë të pastër në ilaçe, ato molekula që përdor kopjon molekula që ndodhen te bimët në natyrë. Ne i kemi ilaçet në natyrë, por evolucioni ka bërë që ne t’i bëjmë sintetike ato, por shikoj një trend rritës sa herë shkoj në panaire, ka një kërkesë të madhe për përbërës aktivë në farmaceutikë nga natyra. 

Cila është bima më mrekullibërëse, ajo që mund të jetë më superiore për efektin dhe veprimin që ka? 

Të gjitha që natyra i ka kultivuar dhe i ka dhënë me bujari, ndaj unë i krahasoj bimët medicinale, si muzika që ka 7 nota dhe ato 7 nota bëjnë muzikën e gjithë botës. Unë jam lidhur shumë me një që quhet Trëndafili i Gurit, një lule shumë e vogël, nuk të vjen ta këpusësh se nuk është dhe shumë e bukur. Ka një petale të rrudhur në disa ngjyra çiklaminë, disa janë rozë, disa të bardha, ajo është magjike, pasi ka një veti antivirale, një aromë fine të parfumeve dhe është shumë e mirë për të pastruar kapilarët e gjakut.  

Me gjithë njohuritë që keni çfarë bimësh përdorni ju, çfarë çaji konsumoni? 

Në fakt, unë ngaqë i kam studiuar të 80 llojet e bimëve, mundohem që të gjitha t’i marr në një grafik të caktuar në ditët e mia, ekstrakti i një luleje të verdhë që quhet lulja e parë që del pas shkrirjes së akujve. Unë i kam shumë qejf këto lulet e maleve. Ne e kemi në laborator 6 vite dhe nuk i ka ndryshuar ngjyra, është aq e bukur, aq e qëndrueshme dhe ajo ka emrin “I pavdekshmi”, në italisht ‘Imortela’ dhe është shumë energjizuese, kur ti ha një vakt, kur pi atë çajin. Por mund të marr çajin e luleve të portokallit, është shumë i shijshëm, kemi shumë të bukur çajin e rozmarinës, të sherbelës, të dafinës, i borzilokut po ashtu, i lules së blirit është çaj i mrekullueshëm relaksues, i mentes edhe ai është shumë i mirë. Unë gjithmonë kam një moment që them, sot është dita e mentes ose një ditë tjetër, sot e dua kanellën kur dua të energjizohem. 

Në një botë ku gjithçka po bëhet artificiale, a mendon se natyra po fiton? 

Po është duke fituar, sepse po kuptojmë që me ushqimet komerciale po shikojmë rritje obeziteti, sëmundje autoimune, të gjitha sepse ne i kemi ikur natyrës dhe trupi ynë duke qenë se është diçka organike dhe i lidhur me natyrën i njeh shumë mirë substancat që i ofrojmë. Nëse i ofrojmë substanca organike, trupi reagon me gjithë këto sëmundje të ndryshme, rënie imuniteti dhe shumë sëmundje që dikur nuk kanë qenë. Ne në mënyrë të pavullnetshme po orientohemi drejt natyrales, sepse po gjejmë zgjidhje te suplementët që vijnë nga natyra. E shikoj fitoren e natyrës ndaj sintetikes dhe në produktet e kujdesit të lëkurës. 

Ata që konsumojnë çajrat i zgjedhin për arsye specifike? 

Bimët duhet të kalojnë në disa procese që quhen detoksifikimi, i largojmë disa substanca toksike që i marrim nga natyra pastaj kalojnë një proces pastrimi nga mikroorganizma, baktere, viruse dhe larva që mund të ndodhen te bima, pastaj kjo bimë është gati për t’u pirë çaj ose infuzioni botanik. Ne e pimë për disa minerale dhe vitamina që ka bima, si dhe disa aminoacide që janë të tretshme në ujë. Ne të gjithë duhet të kuptojmë që nuk mund t’i përdorim bimët pa kaluar këto procese, sepse mund të shfaqen me çrregullime intestinale. Emrin e çajit e ka vetëm një bimë, Kamelia Sinensis me ligj ai quhet ose çaj jeshil, por sërish ai i nënshtrohet proceseve teknologjike që të bëhen të sigurt për konsum.  

A mund të zëvendësojnë çajrat ilaçet? 

Çajrat nuk i zëvendësojnë ilaçet, por ekstraktet e bimëve po, nëse i përdorim sipas rregulloreve me sasi të caktuara në doza ditore. Për shembull, ekstraktin e rozmarinës nëse e marrim nga 740 mg deri në 1400mg, i zëvendëson ilaçet, pasi kur e gëlltisim përmes një tretësire vaji ulliri nxit amikdalën, më pas shkon në hipotalamus dhe direkt në qarkullimin e gjakut, duke ndikuar në rritjen e sistemit imunitar, pra njësoj sikur po marrim një ibubrofen që qetëson dhimbjen inflamatore. Rozmarina e bën këtë më shpejt dhe më natyralisht. Kështu që ekstraktet i shikoj si zëvendësues të ilaçeve, por çajrat jo, ato janë ndihmues dhe relaksues.  

Cilat janë disa nga sëmundjet që mund të kurojnë bimët? 

Di të them se një jetë e shëndetshme është që ne në dietën tonë të përditshme t’i kemi këto elementë, patjetër të kontrolluar. Por nëse ne marrim suplemente të cilat janë mirëprodhuar, do të thotë i kanë të gjithë elementët sipas rregulloreve, ne informohemi para se të marrim një preparat, atëherë secili nga ne duhet ta bëjë këtë gjë sepse kontribuon në mirëqenie.