Aktorja Jennifer Garner po jeton një epokë të re. Ajo po rikthehet në ekran për sezonin e dytë të trillerit “The Last Thing He Told Me”, duke formësuar imazhin e një ylli që nuk ka ndalur së shkëlqyeri asnjë çast. Do të habiteni po të mësoni se Jennifer Garner është një person që ndihet e gjallë që në mëngjes. Në orën 9 të mëngjesit, aktorja ka përfunduar tashmë stërvitjen kardio, seancat e vallëzimit, ka lexuar email-et dhe ka mbajtur shënime për takime mbi projektet në vijim, po ashtu ka dërguar fëmijët në shkollë dhe ka parë me kujdes pemët e limonit që ka në oborr, ngjitur me dritaren e zyrës së saj në shtëpinë e Los Angeles. “I dua mëngjeset herët. Ajo rrezja e parë më shijon teksa dita ime ka nisur para dritës”, thotë aktorja 53-vjeçare, me një trup të gdhendur dhe linja të përsosura. Gjatë karrierës prej tre dekadash ajo nuk e ka ndryshuar rutinën e saj, nisjen e ditës herët. E veshur me xhinse, një bluzë Celine dhe xhaketë, ajo ka portretin e një nëne të cilën mund ta takosh te dera e shkollës dhe shkëlqen njësoj sikur parakalon mbi tapetin e kuq, apo një set fotografik.
Suksesi i saj i madh erdhi në vitin 1998, me një rol të vogël, por tërheqës në filmin “Felicity”. Kjo mjaftoi që krijuesi i serialit J.J. Abrams ta zgjidhte atë si protagoniste në trillerin aksion-spiunazh “Alias” me të cilin fitoi edhe çmimin e parë “Golden Globe”. Seriali ishte një sensacion, duke e lançuar Garner-in si një figurë të re në ekranin e madh. “E vetmja gjë që di të them është se ishte një kohë e çmendur. Punoja natën çdo të premte. Pastaj të shtunave, zgjohesha, stërvitesha dhe pasi binte zilja e derës, nisja kursin e mësimit të rusishtes dhe më pas ndiqja një kurs artesh luftarake. Ishte një periudhë vërtet intensive”, kujton aktorja.
Papritur një sërë rolesh i trokitën në derë, nga aksioni në romancë dhe thuajse në të gjitha ajo tregoi se kishte ngjyrat e plota të një aktoreje që dinte të luante çdo rol. Kujton se fija e përbashkët e secilit prej këtyre roleve ishte pikërisht puna e saj për t’u transformuar, nga një vajzë luftarake, në një personazh romantik. “Gjithmonë kërkoj të përmbys atë që sapo kam bërë; kjo është kënaqësia e të qenit aktore”, thotë ajo, pa e mohuar se filmat aksion mbeten të preferuarit e saj. Projekti i fundit, është një rikthim në formën e saj më të mirë. Seriali “The Last Thing He Told Me”, një prodhim nga Apple TV+, Garner luan rolin e Hannah Hall, një tornitore, e cila pas zhdukjes së burrit nis një kërkim për përgjigje që e afrojnë më shumë me vajzën e saj.
Kur e pyet për çfarë është më shumë krenare në punë ose në jetë, përgjigjja e saj është e menjëhershme: Fëmijët e mi. Ajo bëri një hap pas nga aktrimi kur fëmijët e saj nga martesa me Ben Affleck-in ishin shumë të vegjël dhe iu desh të braktiste gjithçka. “Nuk e ndjeva kurrë si një sakrificë. Ishte shumë e vështirë të shkoja në punë dhe të kujdesesha për familjen, por kjo periudhë i dha zgjidhje shumë dilemave që kisha deri atë kohë në kokën time. Unë e dua aktrimin, por më shumë i dua fëmijët e mi”, thekson aktorja.
Sot, me tre fëmijët e saj të moshës nga 13 deri në 20 vjeç, ajo ka një lidhje të fortë dhe kjo ndoshta për kohën që ajo u ka dedikuar atyre. "Prindërimi më ka ndryshuar. Ky është një rol i cili nuk bëhet me buton, do kohën e vet. Kur je i lidhur me fëmijët kupton se ata duhet t'i lësh të rriten dhe të bëjnë zgjedhjet e tyre. Nuk mund t’i kontrollosh". Ajo është shumë krenare për mënyrën se si po rriten, por edhe për arsyen se ata po shijojnë çdo fazë të jetës së bashku.
Garner është shumë mbrojtëse ndaj familjes së saj, kjo sidomos pas eksperiencës negative që përjetoi pas ndarjes me Ben Affleck në vitin 2015. Pas 10 vitesh martesë, familja e saj përjetoi një makth nga përndjekja e paparacëve, një periudhë e cila e ndihmoi të ketë një qasje tjetër ndaj medias, duke u izoluar totalisht, sidomos nga tabloidët. Shpërbërja e familjes ishte një periudhë mjaft e vështirë. Humbja e partnerit e bëri të kuptonte se miqësia duhet të mbetet pas çdo lloj sfide që njeriu kalon në raportet njerëzore.

Aktrimi duket gjithnjë e më shumë si një nga shumë gjërat e rëndësishme në jetën e Garner-it, së bashku me fëmijët e saj, që janë në listën e saj të prioriteteve, një prej roleve që po i pëlqen është ai i ambasadores së "Save the Children" për edukimin e hershëm të fëmijëve. Ndërkaq, si bashkëthemeluese e "Once Upon a Farm", një kompani e cila nxit ushqimin organik për fëmijë, Jennifer ka përqafuar misionin e saj për të përmirësuar mirërritjen e të vegjëlve. “Industria ushqimore po u jep fëmijëve ushqime jo të shëndetshme, shpesh duke i bërë ata të varur ndaj ushqimeve të gatshme dhe duke mos ngrënë pjatat e shijshme që gatuajnë mamatë në tavolinat e tyre”, rrëfen ajo. Kjo është arsyeja që kompania e saj zgjedh prodhime nga ferma shekullore e familjes Garner në Oklahoma, duke krijuar disa receta autentike dhe plot vlera ushqimore. Marka e saj ka një prani të fortë edhe në kuzhinën e Garner-it. E kur e pyet për rutinën e saj ushqimore, nuk e mohon se e nis ditën me një milkshake për imunitetin me mollë, qershi dhe manaferrë.
Edhe pse teknologjia ka rrëmbyer jetën dhe stilin e shumë personazheve publike, për një gjë të jeni të sigurt, Garner nuk është shumë online, edhe pse renditet si një ndër gratë më të bukura në Hollywood. Faqet e thashethemeve shpesh bëjnë thirrje që ajo dhe Affleck të marrin çmimin Oscar për bashkëprindërimin më të mirë dhe që ajo të pranojë lidhjen e përfolur me CEO-n e teknologjisë John Miller. Por duket se përgjigjja e saj është e saktë dhe e shkurtër, “Kam kaq shumë dashuri në jetën time”. Aktrimi dhe familja duket se e përmbushin atë më së miri, ndaj edhe nuk ndihet aspak në faj që t’u përgjigjet këtyre mesazheve.
“Jam e lumtur që ende po punoj, që fëmijët e mi janë të shëndetshëm, që marrëdhëniet e mia në punë shkojnë mirë dhe që në jetën time kam ende po ata miq që ishin me mua 25 ose 30 vjet më parë. Këto janë për mua emocione të vërteta dhe njerëzore që ma pasurojnë jetën time. Ndihem shumë mirënjohëse për punën time që ka njerëz që më du
