KreuCelebrity

Eda Grimci- Avokatja e ligjit dhe e zemrës! EKSKLUZIVISHT PËR BORDO

Nga Ilda Lumani 

Fotografia: Klevjan Hoxha 

Avokatia nuk është profesion, por mision. Të tillë e sheh avokatja e njohur Eda  Grimci, e cila në këtë bisedë për BORDO ndan jo vetëm këndvështrimin e saj, si  mbrojtëse e ligjit dhe e njerëzve, por edhe empatinë që duhet të ketë një njeri në  raport me atë që bën. Teksa në takimin e parë Eda, të cilën tërthorazi e njihja nga ekrani më dha përshtypjen e një zonje shumë të prerë, por të qartë dhe të saktë  në çdo fjalë që kumtonte, në këtë intervistë më hapi një dritare të suksesit të saj, i cili vjen nga balanca që ajo ka me veten, familjen, rrënjët dhe punën, që iu injektua i dëlirë nga një model televiziv, i adhuruar prej të gjithëve; ai i personazhit  të Silvia Kontit, në serialin e suksesshëm të viteve ’80-’90 “Oktapodi”. Sot, Eda  Grimci e manifeston çdo ditë në punën e saj jo vetëm atë vizion, por e ka kthyer  në filozofi jete dhe pune! 

Eda, për gjithë njerëzit njihesh si një avokate e fortë, e prerë, që nuk bën  kompromis përtej ligjit. Por për një audiencë më të gjerë, kush është Eda Grimci? 

Eda Grimci, përtej profesionit, është thjesht një nënë dhe një grua që mundohet  çdo ditë të bëjë më të mirën. Jam nënë e dy fëmijëve, Genta 11 vjeçe e Luis 17 vjeç,  dhe pjesa më e bukur e ditës sime nis herët në mëngjes, kur gatuaj për ta dhe  përgatis gjithçka që dita e tyre të shkojë mirë. Jam e përfshirë në çdo detaj të  jetës së tyre — në shkollë, në emocionet, në sfidat, në gjërat e vogla që  ndonjëherë bëjnë diferencën më të madhe. Për mua familja është qendra e  gjithçkaje. Jam po aq e përkushtuar edhe ndaj prindërve të mi, ndaj bashkëshortit  tim, dhe ndaj atij ekuilibri që mban bashkë një shtëpi dhe një zemër. Po, në punë  jam e fortë, e prerë dhe kërkuese, por në shtëpi jam nënë, bijë, bashkëshorte…  një grua që gabon, që lodhet, që ndonjëherë qan, por që kurrë nuk ndalet. Kështu  do ta përshkruaja veten: mes forcës dhe butësisë, mes ligjit dhe dashurisë, mes  profesionit dhe jetës që dua të mbroj çdo ditë. 

Kur kthehesh pas dhe kujton fillimet e punës tënde, çfarë kujton më me  nostalgji? 

Kujtoj ditën e parë që hyra në sallën e gjyqit. Zemra më rrihte fort, duart më  dridheshin… ishte një përzierje frike, respekti dhe dëshire për të treguar se e  meritoja të isha aty. Kisha përpara fytyra të ftohta, shikime mosbesuese, njerëz që  më shikonin si një vajzë e re, pa përvojë, që ndoshta nuk do të zgjaste shumë në  atë vend. Por ajo ndjenjë, ajo pasiguri e thellë .. u kthye në shtysën time më të  madhe. I preka kufijtë e frikës, por nuk qëndrova aty. Punova, studiova, dëgjova, u  përballa… dhe çdo herë që më nënvlerësuan, unë fola më fort, jo me zë, por me  përgatitje dhe dinjitet. Sot, kur e kujtoj atë vajzë të dridhur në sallën e gjyqit, ndjej  vetëm mirënjohje. Sepse ajo frikë e parë më mësoi të mos dorëzohem kurrë. Dhe  ndoshta ajo ditë, më shumë se çdo tjetër, më bëri të jem gruaja që sot nuk  pranon të mos dëgjohet me vëmendje. 

Avokatia ka qenë gjithmonë ëndrra jote? 

Po, mendoj se po, edhe pse ndoshta në fillim nuk e kuptoja plotësisht. Jam rritur  në një kohë kur figurat e grave të forta nuk ishin të zakonshme. Dhe për mua, modeli i parë frymëzues ishte prokurorja Silvia Conti në serialin italian “La Piovra”.  E shihja me admirim: një grua e vendosur, e ndershme, që nuk frikësohej përballë  pushtetit apo padrejtësisë. Një figurë që luftonte për të dobëtin, për ata që nuk  kishin zë, kundër një sistemi të korruptuar e mbytës. Dhe aty, pa e kuptuar, u  mboll fara e parë e ëndrrës sime. Sot, kur kthehem pas, e shoh se ajo vajzë e  vogël që shihte me admirim Silvia Contin, u bë një grua që përpiqet çdo ditë të  mbajë gjallë të njëjtin ideal: të luftojë për të drejtën, me dinjitet dhe pa frikë. Të  paktën përpiqem të jem, edhe pse shpesh luftoj në kufijtë e të pamundurës brenda këtij realiteti pa rregulla, pa meritokraci e pa siguri juridike! 

Sa çështje ke kaluar deri më tani? Mban një numër të tyre? Sa ke fituar dhe sa ke humbur? 

Nuk i kam numëruar kurrë. Në fillim ndoshta po, si çdo profesionist i ri që do të  dijë sa fiton, sa humbet, sa ngjitet. Por me kohën e kupton se nuk janë numrat që  të përcaktojnë, por peshën e përjetimit që mbart çdo çështje. Kam kaluar shumë  dosje, histori njerëzore, dhimbje, padrejtësi, por edhe fitore që më kanë mbushur  shpirtin. Kam fituar shumë, jo gjithmonë në letra, por në kuptimin më të thellë të  fjalës: kur kam parë një njeri të drejtë të marrë frymë lirisht, kur kam ndjerë  mirënjohjen e atij që s’kishte askënd tjetër për ta mbrojtur. Dhe po, kam humbur  edhe disa çështje. Por nuk i kam parë si humbje — më shumë si kujtesa që  drejtësia nuk është gjithmonë e drejtë. Ato më kanë bërë më të matur, më të fortë dhe më të vërtetë në raport me vetveten dhe me profesionin. Mësohet me  shumë nga humbja, mendoj! Në fund, ajo që ka rëndësi për mua nuk është sa kam  fituar, por sa kam qëndruar me dinjitet në çdo betejë. 

Ka një çështje që të ka lodhur, një që e ke më përzemër, të cilën mund ta ndash? 

Ka çështje që të lodhin fizikisht… dhe ka të tjera që të lodhin shpirtin. Në këtë  profesion, më e vështira nuk është lodhja nga puna, por ajo që ndjen kur  përballesh me dhimbjen e tjetrit, me padrejtësinë që shpesh s’mund ta shpjegosh  dot me ligj. Mbaj mend një rast që s’do ta harroj kurrë. Një çift i moshuar mbi 70  vjeç, të vetëm pa fëmijë, të përulur nga pesha e jetës, që kishin humbur gjithçka,  shtëpinë, dinjitetin, dhe pothuajse besimin te njerëzit. Hynë në zyrën time me  sytë ulur dhe më thanë: “Nuk kemi më asnjë shpresë, por duam të dimë që dikush  na dëgjoi”. Ajo fjali më mbeti në zemër. E ndjeva peshën e përgjegjësisë, por edhe bukurinë e profesionit që kam zgjedhur: të jesh zëri i dikujt që nuk dëgjohet. Ajo çështje më lodhi, më konsumoi emocionalisht dhe mendërisht për shkak të pafytyrësisë dhe menefregizmit të institucioneve që nuk denjonin as të përgjigjeshin, por kur erdhi dita e vendimit dhe pashë në sytë e tyre një dritë që s’kishte qenë më aty prej kohësh, kuptova pse e bëj këtë punë!  Nuk është gjithmonë për të fituar, është edhe për ta rikthyer besimin, për ta bërë  dikë të ndjejë se drejtësia dhe njerëzillëku mund të ekzistojë, sado e brishtë të  duket. Dhe çdo herë që lodhem, mjafton ta kujtoj atë moment… dhe e di se jam  aty ku duhet të jem. 

Ke pasur një model në jetën tënde? Po në profesion? 

Nuk kam pasur një model të qartë, në kuptimin klasik. Jam rritur nga një baba  vlonjat, i rreptë dhe shumë kërkues. Sa herë që jepja maksimumin, ai më thoshte se mund të jepja më shumë. Nuk ishte kurrë i kënaqur. Në fillim mund të dukej e  vështirë, mund të mendosh se kjo të shkatërron vetëbesimin…, por përkundrazi. Ai  më dha diçka më të rëndësishme: një standard të lartë për veten, një ndjenjë të  brendshme që nuk dorëzohet. Kjo është gjëja që e kam trashëguar prej tij:  kërkimin e përhershëm për më shumë, për të qenë më e mirë, për të mos ndalur  kurrë në përpjekjen për të arritur potencialin tim të plotë. Ky mësim nuk më  shoqëron vetëm në profesion, por edhe në shtëpi. Si nënë, më bën të dua të jem  gjithmonë më e mirë për fëmijët e mi, të dëgjoj, të kuptoj, të udhëzoj dhe të jem  aty për ta, pa u lodhur. Si grua dhe bashkëshorte, më ndihmon të jem e  qëndrueshme, të jap maksimumin e mundshëm për familjen dhe marrëdhëniet e  mia. Në thelb, ajo rreptësi e babait tim u kthye në një forcë të brendshme: një  motivim që më bën të kërkoj më shumë nga vetja, por gjithmonë me dashuri dhe  përkushtim ndaj atyre që kam përreth. Kurse modeli i nenës sime më ka bërë më  të mirë në shumë aspekte në familje. Nëna ime ka qenë gjithmonë shembulli i  sakrificës dhe i përkushtimit ndaj familjes. Një grua që donte gjithçka të ishte në  rregull, e pastër, e organizuar… dhe shumë kërkuese në punët e shtëpisë. Dikur e  kundërshtoja, sot ndoshta jam bërë njësoj (qesh), e fiksuar me rregullin. Pikërisht  fryma e përkushtimit të nënës në familje dhe rreptësia e babait tim, kanë  ndërtuar brenda meje një standard të lartë për veten: kërkimin e përhershëm për më shumë, pa u dorëzuar kurrë, por gjithmonë me dashuri. Ky kombinim më  ndihmon sot si grua, si nënë dhe si profesioniste: të jem e qëndrueshme, e  përkushtuar dhe të jap maksimumin në çdo fushë të jetës sime. 

Për një avokat është shumë e rëndësishme prezenca, stili. Sa investohesh në këtë drejtim? 

(Qesh)! Shpenzoj shumë .. ndonjëherë! Çantat dhe bizhutë, mania ime! Gjithsesi  s’mjafton! Prezantimi, stili, mënyra si dukesh dhe si të flasësh nuk janë thjesht  detaje estetike — janë pjesë e mënyrës si shpreh respektin për klientin dhe për  çështjen që përfaqëson. Unë e marr shumë seriozisht këtë aspekt, por gjithmonë në mënyrë të natyrshme. Nuk është vetëm veshja apo pamja, por qëndrimi,  qetësia, vetëbesimi që transmeton. Investoj në këtë drejtim jo për t’u dukur, por  për të qenë e gatshme, për të qenë prezente dhe për t’i dhënë çdo çështjeje  peshën që meriton. Çdo detaj ka rëndësi: nga mënyra si hyj në sallë, deri te sjellja  ndaj klientit dhe kundërshtarit. Por nuk është gjithçka jashtë. Stili dhe prezenca  bëhen të vërteta vetëm kur i bashkon me punën, përgatitjen dhe integritetin.  Atëherë çdo fjalë, çdo hap dhe çdo vendim shkon paralelisht me respektin që kam  për ligjin, për klientin dhe për profesionin tim! 

Eda, ti je angazhuar edhe në politikë. Të lodh apo të motivon politika? E sheh në  të ardhmen veten edhe më të fokusuar në të? 

Politika mund të të lodhë, padyshim. Ka debate të forta, pritshmëri të mëdha dhe  vendime që nuk janë të lehta. Por ajo gjithmonë më motivon — sepse më jep  mundësinë të jap zërin tim, të kontribuoj dhe të punoj për të mirën e njerëzve.  Mbaj mend raste kur kontaktet me qytetarët më prekën thellë: njerëz që vijnë te ti me shqetësime reale, që kërkojnë një dëgjim të sinqertë. Pikërisht ato  momente më kujtojnë pse ia vlen të angazhohesh dhe pse nuk duhet të  dorëzohesh. Politika dhe avokatia janë dy pasione të mia. Në dukje duken të  ndara, por në thelb kanë të njëjtën vlerë dhe të njëjtin qëllim: të luftosh për  drejtësinë, të mbrosh të dobëtin dhe të kontribuosh për të mirën e përgjithshme.  Për mua, politika nuk është pika e arritjes së fundit, as qëllimi i vetëm — është një  mënyrë për të bërë ndryshim, ndërsa avokatia dhe familja janë gjithmonë themeli  dhe qendra e jetës sime. Në të ardhmen, e shoh veten aktive dhe të përkushtuar në të dyja, por gjithmonë duke e balancuar me familjen dhe jetën personale. Çdo  moment që përjetoj aty më mëson durim, vendosmëri dhe forcë, që i shërben  edhe në jetën time të përditshme dhe profesionale. 

Përtej punës së përditshme, cilat janë ato zakone, rutina, hobi, që të relaksojnë  dhe frymëzojnë në punë dhe në jetë? 

Pas një dite të lodhshme, mezi pres të shkoj në shtëpi. Të mbyll derën pas meje  dhe të shkëputem nga zhurma, debatet, bisedat konfliktuale dhe betejat e punës.  Është momenti im i qetësisë, ku mund të marr frymë dhe të rikthehem te vetja.  Si vajzë Vlore adhuroj detin! Më pëlqen të eci, veçanërisht në mëngjes, herët —  zakonisht rreth orës 5:30, kur qyteti është akoma i qetë, pa makina dhe njerëz.  Aty e gjej kohën për të medituar, për të reflektuar dhe për të menduar qetësisht.  Ecja më ndihmon të pastroj mendjen dhe të rikthej energjinë. Leximi gjithashtu  më relakson dhe më frymëzon. Çdo libër është një dritare e re, një mundësi për të  mësuar, për të reflektuar dhe për të gjetur ide të reja që më shërbejnë edhe në  punë, edhe në jetë. Politika, megjithëse sfiduese, është një pasion frymëzues. Ajo  më jep energji, më bën të ndihem aktive dhe e përfshirë, dhe shpesh e përdor si  mënyrë për të shkarkuar tensionin dhe për të mbajtur frymën pozitive edhe pse  në një ambient mbytës, siç është realiteti shqiptar. Rutina ime e përditshme — ecja,  leximi dhe përkushtimi në pasionet e mia dhe rutinën familjare, më ndihmon të  qëndroj e qetë, e balancuar dhe të jap maksimumin në çdo aspekt. 

Së fundi, ke një ëndërr, një objektiv, një mision? Ku e sheh veten pas 10 vitesh? 

Parlamenti është një objektiv, duke qenë se merrem me politikë prej shumë vitesh, por jo një qëllim në vetvete. Nuk e shoh si fundin e rrugës, por si një  mundësi tjetër për të kontribuar. Në të njëjtën kohë, dua të zgjeroj studion time  ligjore me partnerë të rinj, për shkak të ngarkesës dhe rritjes së numrit të  çështjeve dhe pse jo, këtë profesion e këtë pasion për avokatinë t’ia trashëgoj të  paktën, një prej fëmijëve të mi. Një gjë është e sigurt: kudo që të jem, në sallën e gjyqit apo në sallën e parlamentit, do të luftoj gjithmonë për idealet që besoj. Drejtësia, ndershmëria, përkushtimi dhe qëndresa në atë që besoj, janë busulla ime dhe nuk do të  ndryshojnë asnjëherë. Pas çdo beteje ligjore, pas çdo dite të ngarkuar, unë mbetem e njëjta Eda, gruaja që zgjohet herët për fëmijët, që kujdeset për prindërit dhe që gjen qetësi vetëm  mes familjes. Avokatia, politika, jeta publike janë pjesë të rrugës sime. Por në  thelb, gjithçka që bëj buron nga dashuria për drejtësinë, për njerëzit dhe për vlerat me të cilat jam rritur. Forca e vërtetë e një gruaje nuk qëndron vetëm te  zëri i saj publik, por edhe te dashuria dhe përkushtimi që jep në heshtje. Dhe unë,  kudo që të jem, do të jem gjithmonë e njëjta: në shërbim të së drejtës, e lidhur  me jetën, me njerëzit dhe me idealet që më frymëzojnë çdo ditë!