Këngëtarja Jonida Maliqi ka folur së fundmi për jetën e saj personale gjatë një interviste televizive tek "Rudina" ne RTV Klan, ku u ndal te periudha e divorcit nga ish-bashkëshorti Gent Prizeni – një prej momenteve më të vështira të jetës së saj.
Ajo tha se ndarja erdhi pas 17 vitesh bashkë, lidhje që kishte nisur që në moshën 17-vjeçare. Sipas saj, ndryshimet që vijnë me rritjen dhe evoluimin e dy njerëzve ishin arsyeja kryesore.
“Dani ishte vetëm 5 vjeç. Unë kisha nevojë për të qenë familje, por kur lidhesh shumë e re, me kohën njerëzit mendojnë ndryshe, reagojnë ndryshe. Sidomos ne nënave na ndodh një metamorfozë, dhe prioritet bëhet fëmija,” tha këngëtarja.
Maliqi theksoi se zgjodhi një familje më të vogël, por të qetë, në vend të një marrëdhënieje me pasiguri e konflikte. Ajo shtoi se divorci është i vështirë, por jo fundi i botës.
“Më mirë një familje e minimizuar dhe e lumtur, sesa paqe e prishur. Kur dua veten, di të dua edhe të tjerët që më respektojnë,” u shpreh Jonida, duke theksuar se dy prindërit duhet të jenë pranë njëri-tjetrit në të mirë e në të keq – edhe kur rrugët e tyre ndahen.

