KreuCelebrity

Fundi i përbashkët: Lamtumirë me dhimbje për binjaket Kessler, Ikona të modës dhe kërcimit, në moshën 89-vjeçare!

Vdekja nuk arriti t'i ndante. Për motrat Kessler, "vallëtaret kombëtare" të Italisë me origjinë gjermane, qëndrimi bashkë ishte një premtim i përjetshëm. Në moshën 89-vjeçare, ato zgjodhën të largoheshin nga jeta në të njëjtën ditë, në të njëjtën mënyrë, duke e bërë fundin e tyre po aq të pandashëm sa ç'ishte edhe karriera e tyre e shkëlqyer.

Dy motrat binjake Alice dhe Ellen Kessler, të njohura në mbarë Evropën për karrierën e tyre të jashtëzakonshme në muzikë, vallëzim dhe televizion gjatë viteve 1950–1960, kanë ndërruar jetë në të njëjtën ditë duke zgjedhur ndihmën mjekësore për t’i dhënë fund jetës së tyre. Lajmi u raportua nga gazeta gjermane Bild.

Binjaket 89-vjeçare vdiqën të hënën, më 17 nëntor, në shtëpinë e tyre pranë Mynihut. Sipas Bild, motrat kishin vendosur prej kohësh të largoheshin nga jeta së bashku dhe “nuk dëshironin të jetonin më”. Procesi u krye ligjërisht dhe më pas autoritetet u njoftuan.

Në Gjermani, ndihma mjekësore për vetëvrasje është e ligjshme që nga viti 2019. Në këtë praktikë, ndryshe nga eutanazia (e cila mbetet e paligjshme), pacienti e administron vetë ilaçin e përshkruar nga mjeku.

Në një intervistë për Bild në prill 2024, Alice dhe Ellen kishin shprehur dëshirën që hiri i tyre të vendosej në të njëjtën urnë. Sipas raportimeve, ato do të prehen pranë nënës së tyre, Elsa, dhe qenit të tyre besnik, Yello.



Pas lajmit të vdekjes, Radio Monte Carlo publikoi një homazh prekës në rrjetet sociale:
“Alice dhe Ellen Kessler u larguan së bashku, ashtu siç jetuan: të pandashme. Të lindura në vitin 1936, ato ishin simbol i vërtetë i spektaklit evropian. Në Itali u bënë ikona të elegancës dhe skenës, të njohura si ‘këmbët e kombit’ që nga vitet Pesëdhjetë.”



Motrat Kessler ishin jashtëzakonisht të njohura në Itali gjatë fundit të viteve 1950 dhe gjatë viteve 1960. Aty, ato nuk u shfaqën vetëm në kinema, por u bënë figura dominuese në televizionin italian (RAI).

Gjatë karrierës së tyre të gjatë, binjaket Kessler lanë një gjurmë të pashlyeshme në kulturën europiane, duke mbetur deri sot një çift artistik unik dhe i paharrueshëm.