KreuCelebrity

Shkëmbeu fanellën me Asllani gjatë ndjeshjes me Shqipërinë, fansat kryqëzojnë Jude Bellingham

Jude Bellingham u bë protagonist i rrjeteve sociale të dielën mbrëma, pas një episodi të pazakontë gjatë ndeshjes eliminatore të Botërorit mes Shqipërisë dhe Anglisë në Tiranë. Mesfushori i Real Madridit shkëmbeu fanellën me lojtarin e kombëtares Kristjan Asllani gjatë pushimit, një moment që zakonisht ndodh pas përfundimit të ndeshjes.

Ky veprim habiti tifozët anglezë, të cilët e panë të papranueshëm që një lojtar të bënte një gjë të tillë në pjesën e parë. Një tifoz shkroi: “Bellingham po ndërron fanellën në pushim??? Këtë e bën në fund të ndeshjes! Stop this nonsense!” Ndërsa një tjetër komentoi: “Është ndeshje ndërkombëtare, çfarë po bën?!”.

 

Megjithatë, shumë shpejt reagimet online u kthyen në humor, me meme dhe foto ironike të trajnerëve të njohur si Sean Dyche dhe Roy Keane, duke tallur situatën.

Pavarësisht kësaj, Anglia fitoi 2-0 në Tiranë dhe mbylli grupin F me fitore të plota, ndërsa Shqipëria ka siguruar vendin e “play-off”-it pas suksesit ndaj Andorrës.

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, komentoi pas ndeshjes për episodin: “Nuk më pëlqen shumë, jam pak old school dhe nuk do të doja të jepja përshtypjen te një kundërshtar që dua fanellën e tij në pushim. Por duhet të pranojmë kohët e reja.”

Bellingham, 22 vjeç, ishte titullar për herë të parë që nga qershori, pasi ishte lënë jashtë për ndeshjet e kaluara për shkak të një dëmtimi në shpatull. Episodi i shkëmbimit të fanellës bëri më shumë bujë se loja e tij, duke ndezur debatet mes tifozëve anglezë dhe mediave sportive.