Todd Snider, këngëtari dhe kantautori i njohur i muzikës Americana, autor i hiteve si “Alright Guy” dhe një figurë ndikimshme e skenës amerikane të këngës, ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare. Lajmi u konfirmua përmes njoftimeve në rrjetet e tij sociale.
Familja bëri të ditur se Snider ishte shtruar së fundmi në spital për pneumoni, ndonëse ende nuk është dhënë një shkak zyrtar vdekjeje.
Shtëpia diskografike e artistit publikoi një deklaratë prekëse, ku e përshkroi Snider-in si “heroin tonë të folk-ut, poetin e botës, tregimtarin që dinte të gjente fjalën e duhur kur askush tjetër nuk mundej”. Në njoftim thuhej:
“Ku t’i gjejmë fjalët për njeriun që gjithmonë i gjente ato? Ai diti të kthente çastet më të dhimbshme e më qesharake të jetës në vargje që preknin zemrën.”
Deklarata theksoi edhe ndjeshmërinë e jashtëzakonshme që Snider përcillte përmes muzikës së tij dhe faktin që ai punonte çdo ditë për të gjetur vendin e tij mes gjigantëve të këngës emra si Guy Clark, John Prine, Kris Kristofferson dhe Jerry Jeff Walker, të cilët e frymëzuan dhe e mbështetën gjatë karrierës.
Snider kishte folur hapur ndër vite për dhimbjet kronike që i shkaktonte stenozë spinale, gjendje me të cilën ka jetuar prej kohësh. Vetëm pak ditë para vdekjes, pjesa e mbetur e turneut të tij u anulua, me ekipin e artistit që njoftoi se ai kishte pësuar lëndime serioze pas një sulmi të dhunshëm jashtë hotelit. Por policia e Salt Lake City-t deklaroi më pas se nuk kishte asnjë raportim për një sulm të tillë.
Më tej, u publikua edhe një video nga kamera e trupit të policisë, ku Snider shihej duke u ankuar nga dhimbjet në momentin e arrestimit për “sjellje të çrregullt”. Kur oficerët e pyetën nëse ishte i pastrehë, ai u përgjigj: “Jam i famshëm”, duke shpjeguar se grupi i tij kishte lënë qytetin pasi koncerti ishte anuluar.
I lindur në Portland, Oregon, Snider u largua drejt Kalifornisë së Veriut pas gjimnazit, më pas u zhvendos në Teksas në vitet ’80, ku takoi mentorin e tij të madh Jerry Jeff Walker. Në vitet ’90, ai u vendos në Nashville dhe u bë një figurë kyçe e skenës së ashpër të East Nashville. Albumi i tij i vitit 2004, East Nashville Skyline, mbetet një gur themeli i muzikës alt-country.
Vdekja e Todd Snider lë pas një boshllëk të madh në botën e muzikës alternative amerikane, por trashëgimia e tij si tregimtar i jashtëzakonshëm dhe si zë i një brezi do të mbetet e gjallë për shumë vite.
