“Big Brother VIP Kosova 4” pritet të nisë pas vetëm dy ditësh, më 17 nëntor, dhe duket se ky sezon vjen me ndryshime të rëndësishme dhe surpriza të reja për publikun.
Sipas raportimeve në media, këtë vit paneli i opinionistëve do të ketë një risi: të dy opinionistët pritet të jenë femra. Mediat ne Kosove thone se Leonora Jakupi dhe Olta Gixhari do të jenë dy opinionistet e këtij edicioni. Emra surprizë pritet të ketë edhe nga VIP-at që do të jenë konkurrentë ndërsa drejtuesit e emisionit do të jenë të njëjtët, Alaudin Hamiti dhe Jonida Vokshi.
Ky ndryshim shihet si një përpjekje për t’i sjellë freski panelit të komentimit, i cili shpesh ka luajtur një rol kyç në dinamiken e spektaklit dhe në perceptimin e publikut për banorët.
Nga ana tjetër, lista e banorëve të edicionit të katërt mbetet e fshehtë. Megjithëse në javët e fundit janë qarkulluar shumë emra të mundshëm, produksioni nuk ka konfirmuar asnjë prej tyre, duke rritur edhe më shumë kuriozitetin e fansave. Big Brother VIP Kosova njihet për surpriza të mëdha në momentet e fundit, ndaj pritshmëritë për këtë sezon janë mjaft të larta.
Publiku pritet të zbulojë gjithçka në natën e hapjes, ndërsa rrjetet sociale tashmë janë të mbushura me spekulime dhe parashikime për atë që do sjellë ky edicion.

