KreuCelebrity

Momenti që tronditi Ariana Grande, fansi i shkon me vrap dhe...

Momenti që tronditi Ariana Grande, fansi i shkon me vrap dhe...

Premiera e “Wicked: For Good” në Singapor u shndërrua në një nga ngjarjet më të komentuara të javës, pasi një burrë australian kapërceu barrikadat dhe u hodh drejt Ariana Grande-s, duke e kapur aktoren në shpatulla dhe duke e tronditur mes turmës së fansave dhe kamerave. Momenti, i filmuar nga dhjetëra telefona, u bë menjëherë viral dhe skena dramatike vuri në qendër të vëmendjes Cynthia Erivo-n, e cila reagoi e para.

Teksa truprojat ende nuk kishin arritur ta neutralizonin situatën, Erivo vrapoi drejt mikeshës së saj dhe e largoi të riun me forcë, duke e shtyrë mbrapa para se ai të kapet nga sigurimi. Michelle Yeoh, që qëndronte pak metra larg, shihej e trembur nga situata, ndërsa fansat shpërthyen në ulërima.

Më vonë u identifikua se agresori ishte Johnson Wen, 26-vjeçar, i njohur në rrjete sociale si “Troll Most Hated” një person me histori ndërhyrjesh në evente të famshme. Në llogarinë e tij në Instagram, ai ka postuar shpesh video ku ndërpret koncerte dhe shfaqje, përfshirë një ngjitje në skenë gjatë koncertit të Katy Perry-t në Sidnei dhe një incident të ngjashëm me The Chainsmokers.

Edhe pas arrestimit, ai postoi në Instagram: “jam i lirë pas arrestimit”, së bashku me pamjet e momentit me Ariana-n, duke shkaktuar edhe më shumë indinjatë publike.

Por të premten, gjykata e Singaporit e akuzoi për “public nuisance”  një vepër që mund të dënohet me gjobë deri në S$2,000. Wen ka deklaruar se ka ndërmend të shpallet fajtor.

Ngjarja ka provokuar zemërim masiv në Singapor dhe në rrjetet sociale. Fansat kërkuan arrestimin dhe deportimin e tij, duke kritikuar edhe sigurinë e eventit, e cila nuk arriti të parandalonte qasjen e menjëhershme ndaj një superylli global. Disa përdorues kërkuan që platformat sociale të fshijnë videot e tij, duke thënë se “rrjetet po e shpërblejnë sjelljen e rrezikshme”.

Shumë fansa, të ndikuar nga historia e Grande-s, e lidhën incidentin me traumën e saj pas sulmit terrorist të Manchester-it në vitin 2017. “Ariana ka kaluar aq shumë… dhe ti mendove se ishte argëtim të kërcyesh drejt saj?”, shkroi një komentues.

Në pamjet e publikuara, Grande duket e shokuar teksa përqafohet dhe qetësohet nga Erivo dhe Michelle Yeoh. Asnjëra prej aktoreve nuk ka komentuar publikisht deri tani, por fansat i kanë përgëzuar për mbështetjen e menjëhershme dhe afeksionin e dukshëm.

Pavarësisht tensionit, ngjarja vazhdoi sipas planit dhe yjet u takuan me fansat që kishin pritur me orë të tëra. “Wicked: For Good” pritet të dalë në kinema më 21 nëntor.