Adele po përgatitet të bëjë debutimin e saj si aktore në filmin e ri të regjisor-it dhe stilistit të famshëm Tom Ford, duke hyrë kështu për herë të parë në botën e kinemasë.
Filmi do të jetë një adaptim i romanit të vitit 1982 “Cry to Heaven” nga autorja Anne Rice – një dramë e vendosur në Italinë e shekullit të 18-të, që ndjek historinë e një aristokrati venecian dhe një kastrati të talentuar nga Kalabria që përpiqen të gjejnë sukses në botën e operës.
Krahas Adeles, në film do të marrin pjesë edhe emra të njohur të kinemasë si Nicholas Hoult, Aaron Taylor-Johnson, Colin Firth, Thandiwe Newton, Mark Strong, Hunter Schafer, Paul Bettany, George MacKay, Daryl McCormack dhe aktori i ri 15-vjeçar Owen Cooper, i cili u bë i njohur pas rolit të tij në serialin Adolescence.
Ky do të jetë filmi i tretë i Tom Ford pas suksesit të madh të A Single Man dhe Nocturnal Animals, që i sollën atij vlerësime të shumta dhe nominime për Oscar. Në një intervistë të fundit për GQ, Ford u shpreh se dëshiron të largohet përfundimisht nga moda për t’iu përkushtuar filmit:
“Kam kaluar kohën më të bukur të jetës sime duke bërë dy filmat e parë. Tani dua të kaloj 20 vitet e ardhshme duke bërë filma. Ora po troket moda është për njerëz më të rinj.”
Cry to Heaven është aktualisht në fazën e paraprodhimit në Londër dhe Romë, ndërsa xhirimet pritet të nisin në janar. Filmi do të publikohet në fund të vitit 2026.
Adele kishte shprehur më herët dëshirën për të aktruar, sidomos pas bashkëpunimit me regjisorin Xavier Dolan për klipin e saj të famshëm Hello. Megjithatë, tentativa e parë për të marrë një rol në filmin e Dolanit The Death and Life of John F. Donovan nuk u realizua.
Pas suksesit të saj me një seri koncertesh në Mynih vitin e kaluar, Adele njoftoi se do të merrte një pushim të pacaktuar nga muzika, dhe tani duket se do të përqendrohet në një kapitull të ri të karrierës, atë të aktrimit.
